Gostivari Sot

mos humbisni asnjë lajm

Reportazh, Gostivari dje dhe sot

HISTORIKU I GOSTIVARIT – POZITA

Gostivari është vendosur në Pollogun e Epërme Maqedoninë Perëndimore. Ai shtrihet në anën e majtë të Vardarit në rrugën Shkup-Tetovë-Gostivar-Ohër dhe një dege të Dibrës. Ka një pozitë të favorshme gjeografike dhe trafikut. Gostivari në të vërtetë është një vend i bukur për të jetuar, sepse ofron klimë të këndshme në çdo stinë të vitit.

Natyra mahnitëse, toka, pozita e volitshme gjeografike, mbi 500 m lartësi mbidetare, me gurgullimën e burimit të lumit Vardar, aty në perëndim të Maqedonisë, i rrethuar nga dy fortesa, Sharri dhe Mali i Thatë, dhe me shumë karakteristika të tjera, shtrihet i qetë me banorët e tij qyteti i shumë ngjarjeve dhe personaliteteve, GOSTIVARI.

ORIGJINA

Ekzistojnë shumë versione që banorët e Gostivarit i ritregojnë për të shpjeguar origjinën e emrit të qytetit të tyre. Megjithatë, të gjitha versionet janë të lidhura me fjalët të qenit mysafir, vend-takim për mysafirët, shtëpi që mirëpresin mysafirë, gostitje, për këtë arsye ka marrë kuptimin miqdashës ose qyteti i mysafirëve, ose Gostivar.

Por, sipas dokumentit të vetëm nga epoka antike tek historiani Tit Livi (59 p.e.s – 17 p.e.s) thuhet se mbreti i fundit i Maqedonisë Pasai (179 – 163) me 10.000 ushtarë pas pushtimit të Uskanës (Kërçovës) pushton qytezën DrauDAK që më pas të pushtohej Oneji (Tetova). Nga këto të dhëna mund të kuptohet se qyteti i vjetër DrauDAK i cili ka pasur rëndësi të madhe, është gjendur në mes të Kërçovës dhe Tetovës, d.m.th. Gostivari i tanishëm. Në vitin 1850 gjeologu dhe ballkanologu Ami Beu në përshkrimet për Tetovën në mes tjerave në një pjesë thotë se në Pollog gjendet “fshati i madh” Gostivari, ndërsa si qytet Gostivari për herë të parë është përmendur në dy shkrimet e shekullit XIX.

POPULLATA

Gostivari para luftërave ballkanike ka pasur 3.735 banorë, dhe para Luftës së Parë Botërore ka pasur rreth 4.500 banorë. Rritje më të madhe të popullsisë dhe zhvillim më të madh të ekonomisë, Gostivari arrin pas Luftës së Dytë Botërore, kështu që në vitin 1948 numëronte rreth 8000 banorë. Ashtu si në shumicën e qyteteve të Maqedonisë, edhe Gostivari pëson rritje intensive të popullsisë pas vitit 1961, për më shumë se dy herë. Gostivari sot është komunë e cila kap sipërfaqe prej rreth 650 kilometra katrorë për më tepër se tetëdhjetë mijë banorë, prej të cilëve në vetë bërthamën e qytetit jetojnë rreth 36 mijë. Mjedis tipik multikulturor. Në të jetojnë shqiptarë, maqedonas, turq, romë e të tjerë.

Sot, Gostivari është vendbanim bashkëkohor qytetar, me sektor në zhvilluar të veprimtarive dytësore dhe terciare, dhe paraqet një qendër administrative-qeverisëse, ekonomike, kulturore-arsimore dhe shëndetësore në zonën e tij me influencë gravitacionale, e cila kufizohet me Tetovën si vendbanim qytetar i centralizuar në Pollog. Por, nga ana tjetër, drejt Gostivarit nga jugperëndimi graviton e gjithë zona malore, pra rajoni i Mavrovës me rreth 90 fshatara.

TRASHIGIMIA – KULLA E SAHATIT

E ndërtuar në këndin qendror të qytetit të Gostivarit. Sahat Kulla ofron një pamje të mrekullueshme të arkitekturës osmane, gjithashtu ky monument kulturor historik  paraqitet edhe si simbol i qytetit të Gostivarit. Me karakteristikat e veta arkitektonike, tipologjike dhe stilistike fiton një vlerë të veçantë historike. Ky objekt u ka rezistuar trazirave të ndryshme  kohore duke arritur të ruajë të gjitha format autentike të ndërtimit. Sa i përket kohës së ndërtimit të Kullës së Sahatit, për këtë flet Mehmed Zeki Ibrahimi në Gazetën El HILAL në tetor të vitit 1988, i cili thotë se elementet arkitektonike dhe stilistike i takojnë shekullit XVII. Gjatë renovimit të objektit që është bërë në vitin 1834, para hyrjes së derës është vënë një pllakë  me një mbishkrim me alfabetin osman, në të cilën shkruan se donatori i Kullës së Sahatit është Ismail Aga  djali i  Haxhi Jusuf Agës.

SHTËPIA E BOLETINIT

Krahas objekteve fetare të njohura, në Gostivar gjenden edhe një numër i caktuar i shtëpive të vjetra tradicionale, të ndërtuara në mes shekujve XVIII-XIX, të cilët kanë vlerë të lartë reprezentative. Këto objekte na mundësojnë të kuptojmë shumë në lidhje me zhvillimin e funksionit dhe karakteristikat ndërtimore, arkitektonike dhe urbanistike, mënyrën e jetesës në atë kohë, njëkohësisht kanë vlerë të veçantë në zhvillimin e formësimit arkitektonik të qytetit dhe më gjerë.

E Shtëpia e Boletinit e cila njihet edhe si shtëpia e Beut, është një ndër shtëpitë më të vjetra në Gostivar. Mendohet se është ndërtuar ne shekullin e XVII nga beu i asaj kohe në qytet, e cila karakterizohet edhe si shtëpia e të pasurve të kohës. Objekti në të kaluarën ka qenë kompleks me dy shtëpi të ndara, “selamllëkun” (shtëpi për burra) e cila me pasazh ishte lidhur me “haremllëkun” dhe (shtëpi për gra ).Selamllëku ka qenë i vendosur me një vijë me rrugën dhe me oborr të vogël para saj. Anësh, në pjesën lindore ka qenë i ngjitur me një objekt tjetër, kurse në anën perëndimore qëndron pasazhi nga i cili hyhet në oborrin е brendshëm.

SHTËPIA E AHMED ÇAKOS

Edhe shtëpia e Ahmed Çakos në Gostivar, përfaqëson një shembull tipik të arkitekturës profane gjegjësisht shtëpisë myslimane (osmane). Sipas të dhënave të pronarit të shtëpisë si dhe kombinimi i elementeve funksionale dhe stilistike, mund të konstatohet se objekti është ndërtuar në mesin e shekullit XVIII. Edhe përkundër asaj që shtëpia është e vjetër, si dhe ndryshimet e pakta që janë bërë me kalimin e kohës, shtëpia ka ruajtur në përgjithësi strukturën, përmbajtjet etnologjike dhe elementet arkitektonike.

TREGU

Pazari i Gostivarit u formua tërësisht në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Besohet se ai ishte themeluar nga tregtarët nga Tetova dhe Velesi dhe mjeshtrit nga Prizreni. Ditë tregu në Gostivar, është dita e martë e javës.

BURIMI I LUMIT VARDAR

Uji i pastër i burimit dhe mjedisi përreth tij janë vend i mrekullueshëm për pushim dhe rekreacion. Vërtok, burimi i lumit më të madh në Maqedoni – Vardar. Banorët e Gostivarit e rekomandojnë atë te çdo vizitor i këtij rajoni. Fshati me të njëjtin emër gjendet në Pollogun e Sipërm, dhjetëra kilometra në jugperëndim të Gostivarit. Burimi ka kapacitet prej disa metra kubik në sekondë dhe është një nga burimet më të mëdha në Maqedoni. Para fshatit gjendet Hidrocentrali Vërtok me fuqi prej 150 MW.

SHPELLA E GJENOVICËS

Ujëvarë e rrallë në thellësi të shpellës. Shpella Gjonovica gjendet në afërsi të fshatit Gjonovica e Sipërme, në pjesën burimore të lumit Llakavica, rajoni i Gostivarit. Ky është një sistem karakteristik shpellor me gjatësi prej 1.000 metra. Pjesa hyrëse e shpellës është një kanal i thatë dhe i zakonshëm me gjatësi rreth disa qindra metra, por më pas shihet lumë shpellor nëntokësor i cili rrjedh në pjesën më të madhe të shpellës. Në fund, në thellësinë nëntokësore të shpellës, ka një ujëvarë të madhërishme nëntokësore, e cila është radhitet në kuadër botëror. Kur niveli i ujit rritet, uji derdhet nga hyrja kryesore e shpellës.

USHQIMET

Gostivari është i njohur me ushqimet e tija tradicionale, të shijshme e me recetë qindra vjeçare. Bakllavaja është ëmbëlsira që më së miri përgatitet në Gostivar. Në këtë qytet gjeni edhe bozën me recetë një shekullore.

Restorantet e shumta në pjesën qendrore dhe periferike, janë destinacione që kanë tërhequr vëmendjen e shumë mysafirëve vendor e të huaj.

MANIFESTIME

Çdo vit në Gostivar organizohen me dhjetëra aktivitete kulturore. Në janar mbahet “Flaka e Janarit”, pastaj “Kolonia ndërkombëtare e artit në Gostivari”, “Çmimi i Nëntorit”, manifestimet për mërgimtarët “Mirë se erdhët mërgimtar”, takimet e shumta në fshatra, manifestime fetare, etj.

Nga viti 2018-të Gostivari u bë edhe me teatër, i cili shfaqen e parë e kishte nga fundi i vitit 2019-të.

KULTURË

Gostivari është i njohur për kulturën e tij, duke marrë parasysh artistët e mëdhenj që kanë dal prej këtij qyteti, si ato të aktrimit, muzikës popullore e asaj moderne.

SPORTI

Qyteti i Gostivarit ka pasur dhe vazhdon të ketë traditë të madhe në sport. Në Gostivar sot janë aktive me dhjetëra klube sportive, duke filluar nga ato të futbollit, basketbollit, hendbollit, karatesë dhe shoqata malore të cilat për çdo vit organizojnë marshe malore nëpër malet e bukura që rrethojnë Gostivarin. Gostivari Sot / A.B

TË FUNDIT