Komunës së Gostivarit iu kthyen ingerencat e marra në arsim

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Nëntor, 2019 12:07

Komunës së Gostivarit iu kthyen ingerencat e marra në arsim

Nga dje komunës së Gostivarit iu kthyen ingerencat e marra në arsim. Nga ASH dega në Gostivar, thonë se këto ingerenca u morën për së dyti herë radhazi, pa të drejtë, në pjesën e emërimit dhe shkarkimit të drejtorëve.

“E theksojmë, pa të drejtë, sepse siç e dini, këtë e vërtetoi edhe Gjykata Administrative e cila ndaj ankesës sonë, vendosi në favor të Komunës së Gostivarit. Në periudhën nëntëmujore,  pa asnjë bazë ligjore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, i emëroi po të njëjtit drejtorë – militantë partiakë të BDI-së, të cilët arsimin në komunën e Gostivarit për 17 vite e degraduan dhe e sollën në gjendje eksperimentale me nxënësit tonë”, thonë nga ASH, dega në Gostivar.

Nga atje thonë se tradicionalisht, që prej periudhës kur me Komunën e Gostivarit udhëheq kryetari nga radhët e Aleancës për Shqiptarët – Arben Taravari, konkurset për punësim hapen në fund të gjysëmvjetorit të parë, atëherë kur përzgjedhja e të punësuarve nuk ndikon në cilësinë e procesit arsimor.

“MASH-i, për dy vjet radhazi konkurset i hap në mes të gjysëmvjetorit, në mes të procesit të arsimit dhe pikërisht përpara se të kthehen kompetencat e arsimit komunës dhe kryetarit të Gostivarit. Kjo përveç që ndikon negativisht tek nxënësit duke ua ndërruar mësimdhënësit në mes të vitit, bëhet edhe me qëllim të punësimit të aktivistëve partiak të BDI-së, duke tentuar në këtë formë të mbajnë peng dhe si trup votues ata të cilët i punësojnë”, thonë nga atje.

Sipas tyre, gjatë kohës së marrjes së ingerencave të arsimit komunës së Gostivarit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, dokumentet origjinale ua dorëzon në dorë drejtorëve të vet të emëruar ndërsa kopjet e dokumenteve ia dorëzon komunës.

“Kjo është anashkalim i institucionit Komunë, pasi marrja e ingerencave vlen vetëm në pjesën e emërimit të drejtorëve, ndërsa në çdo proces tjetër që ka të bëjë me arsimin fillor dhe të mesëm, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, komuna është përgjegjëse dhe jo drejtorët partiak”, thonë nga ASH, dega në Gostivar.

Përveç neglizhencës, thonë nga atje, në shkollat fillore dhe të mesme në Gostivar, gjatë periudhës së marrjes së kompetencave janë bërë edhe shumë keqpërdorime dhe akte në kundërshtim me ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 15 Nëntor, 2019 12:07