Kryetari i PE-së, Sasolli dhe senatorja franceze, Konve-Mure për vizitë në Shkup

Kryetari i Parlamentit Evropian, David Sasolli, sot do të qëndrojë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila është vizita e parë e tij zyrtare jashtë Bashkimit Evropian.

Sasolli fillimisht do të takohet me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, pastaj me kryeparlamentarin Talat Xhaferi, si dhe me kryeministrin Zoran Zaev. Po ashtu, ai do të ketë takim edhe me kryetarët e partive politike.

Njëkohësisht, pritet të mbajë fjalimin edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të kësaj vizite, Sasolli do të bëjë hapjen e Jurop Haus (Europe House), në hapësirat e Delegacionit të Bashkimit Evropian, dhe do t’i bashkëngjitet debatit të ambasadorit Samuell Zhbogar dhe nxënësve nga shkollat e mesme me temë “Vizioni i të rinjve për BE”. Nga Delegacioni i BE-së, informojnë se ish-Info Qendra e BE-së, është shndërruar në Jurop Haus, e cila do të funksionojë si Qendër për të rinj dhe do të ofroj përmbajtje të cilët janë bashkëkohor, tërheqëse dhe inovative për të rinjtë.

Jurop Haus do të funksionojë si platformë e cila do të jetë e hapur për të gjithë të rinjtë, nga të gjitha sferat e jetës, me qëllim të lidhjes me personat dhe mundësitë tjera, si dhe të shkëmbejnë ide për zhvillimin e potencialit. Në debatin me kryetarin e Parlamentit të Evropës, Sasolli do të marrin pjesë nxënës nga Berova, Qendra Zhupa, Demir Hisari, Kavadari, Koçani, Shkupi, Struga, Strumica, Tetova, Valandova dhe Vinica.

Sakaq, sot dhe nesër, më 4 dhe 5 nëntor në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) do të qëndrojë për vizitë zyrtare senatorja franceze, Elen Konve-Mure.

Sot, në ditën e parë të vizitës, 4 nëntor, do të realizojë takime me kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Talat Xhaferi, me nënkryetarin, Goran Misovski, me grupin e miqësisë RMV-Francë, me kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Hari Lokvenec dhe me kryetarët e komisioneve kuvendore për politikë të jashtme, Antonio Milloshoski, për çështje evropiane Artan Grubi.

Në vazhdën e vizitës, senatorja franceze do të marrë pjesë edhe në konferencën e Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kushtuar zhvillimit të mbrojtjes evropiane.

Ndërkaq nesër, më 5 nëntor ajo do të vizitojë varrezat e ushtarëve francezë në Shkup dhe Shtëpinë Përkujtimore-Muzeun, që u hap në maj të vitit 2018, për të nderuar 3000 ushtarët e rënë për Francën, të cilët prehen aty.

Elen Konve-Mure ka marrë pjesë në hartimin e projekt-ligjit, që autorizon ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut të Veriut, në lidhje me pranimin e RMV-së.

Kjo vizitë është pjesë e Strategjisë Franceze për Ballkanin Perëndimor dhe marrëdhëniet e besimit dhe miqësisë, që ndërlidhin Senatin Francez me Kuvendin e Maqedonisë, dhe me qytetarët në tërësi. Vjen pasi RMV-ja nuk arriti të marrë datën për nisjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pasi presidenti francez, Emanuel Makron ka refuzuar çfarëdo progresi në zgjerimin derisa nuk ndryshon metodologjia e procesit negociues, reformë e cila mund të zgjas me vite dhe për të cilën Parisi nuk jep përgjigje konkrete se si duhet të duket. Siç sqaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie, këtë metodologji Makroni do ta sqarojë gjatë vizitës që do ta realizojë në kryeqytetin e RMV-së, Shkup dhe kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Flaka