Ahmeti vizitoi Gostivarin, Bejta i ka dy fjalë për liderin e BDI-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim – BDI, Ali Ahmeti sot  realizoi takim me kryesinë e re dhe anëtarët e Këshillit Mbykqyrës të degës së BDI në Gostivar, njoftojnë nga dega e Gostivarit, përcjell Flaka. 

I pranishëm në takim ishte edhe nënkryetari i BDI-së,  Nevzat Bejta. Ky i fundit, pas takimit në degë ka postuar në Fejsbuk fotografi nga takimi dhe disa fjalë për vizitën e liderit të BDI-së. 

“Kënaqësi e madha ta pres në vizitë në Gostivar, liderin tonë historik, z. Ali Ahmeti. Çdo takim me liderin tonë, e shfrytëzoj për të mësuar diçka më tepër, sepse, vërtetë është një njeri i madh nga i cili mund të mësosh gjëra të dobishme për shoqërinë dhe jetën. Është njeri i dëshmuar në ilegale, luftë dhe në paqe e politikë. #Bashkë, #BDI e gjeneratave, #BDI e 20 viteve të ardhëshme”, shkruan Bejta në Fejsbuk, përcjell Flaka

Ahmetit mirë se ardhje në Gostivar i dëshiroi kryetari i degës, Bashkim Hasani, i cili shfrytëzoi nga rasti ta njoftoi liderin Ahmeti me aktivitet e deri tanishme të kryesisë së re, siç ishte  mbledhja konstituive ku u zgjodh edhe kryesia e ngushtë e degës.

Pasi përgëzoi kryesinë e re dhe Këshillin Mbykqyrës të degës së Gostivarit, Ahmeti u shpreh që: Bashkimi Demokratik për Integrim – BDI, është një thesarë dhe se duhet ta mbrojmë dhe ta forcojmë në vazhdimësi. Këtë parti dhe strukturë, tha Ahmeti, do të donte shumëkush që ta udhëheqte.

“Ky thesarë është i madh. Para se ta shpalos idenë dhe vizionin tim për ta bë të përjeshtshme si subjekt politik, duhet të thuhet se ne fazën e adoleshencës në politikë e kemi kaluar, mbase kemi bë 18 vite aktivitet politik. Prandaj, na duhet një BDI e fuqishme, BDI e transformuar, BDI e demokratizuar dhe reformuar si partitë serioze në shtetet demokratike”, tha Ahmeti, duke shtuar që në kongresin e partisë krahas organeve ekzistuese do të propozon të formohen edhe Këshilli Kombëtar, Komisioni Qendror Zgjedhor (Komisione Lokale Zgjedhore), brenda partisë, Këshillin Mbykqyrës dhe Këshillin e të Urtëve. Flaka