Partitë maqedonase gati për koalicione parazgjedhore me subjektet shqiptare

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit, nxjerin në sipërfaqe dëshirën e subjekteve politike të bllokut maqedonas për koalicione parazgjedhore me subjektet politike shqiptare, shkruan Flaka 

Indikacionet e para lindën nga partia e Zoran Zaevit për koalicon me BDI. Ky i fundit beson se koalicioni me BDI-në do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të prillit. Ai është shprehur se i beson Ahmetit për shkak të përpjekjeve të tij personale për shfrytëzimin e koalicionit në të mirën e qytetarëve.

Për VMRO-DPMNE nuk ka asgjë të keqe për koalicionin mes LSDM dhe BDI. Kjo parti nuk është kundër një koalicioni eventual parazgjedhor mes LSDM-së dhe BDI-së dhe e konsideron atë si të drejtë demokratike.

Madje, kreu i opozitës Hristijan Mickoski deklaroi se partia e tij është në bisedime me të gjithë partitë dhe e hapur për bashkëpunime, përfshirë këtu edhe opozitën shqiptare. Kështu, lideri i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski ka deklaruar se negociata po zhvillohen edhe me subjektet shqiptare, partnerë të LSDM-së së Zoran Zaevit.

“Dera jonë është e hapur për partitë shqiptare dhe jemi të gatshëm për të biseduar edhe për koalicion parazgjedhor me partitë shqiptare dhe partitë e etniteteve të tjera në vend”, kështu është shprehur në emisionin “Studio e hapur” në TV Shenja, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili thotë se nuk ka asnjë preferencë konkrete ose përjashtim nga tabori shqiptar.

Nëse nuk arrihet marrëveshje para zgjedhjeve atëherë ai thotë se me të gjitha partitë shqiptare do të jetë i gatshëm të ulet pas zgjedhjeve nëse fitojnë ato.

Ndërkohë, kryeministri dhe lideri i LDSM-së, Zoran Zaev deklaron se debatin për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të shpallura për më 12 prill të vitit të ardhshëm nuk do ta fillojnë para fundit të muajit të ardhshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se nëse ai ka biseduar tashmë me partnerët e tij aktual të koalicionit dhe nëse ju ka propozuar koalicion parazgjedhor, Zaev theksoi se është akoma herët duke e pasur parasysh se deri në fushatë dhe zgjedhje ka edhe pesë në fakt gjashtë muaj dhe ky qëndrim do të njihej me siguri në fund të shkurtit ose fillim të marsit.

“Nuk kemi folur. Për zgjedhjet presidenciale është një vendqëndrim dhe është normale kur ka vetëm një kandidat ose më shumë kandidatë të grupohen partitë politike. Ne as nuk e kemi hapur këtë debat dhe nuk e kemi ndërmend ta hapim deri në fund të nëntorit. Larg janë zgjedhjet, për më pak se gjashtë muaj, deri në fushatë janë edhe pesë muaj. Me siguri kjo do të ndodhë deri në fund të shkurtit dhe fillim të marsit kur do t’i marrim vendqëndrimet tona, kështu që është shumë herët të flasim për këtë”, deklaroi Zaev.

Nëse do të ndodhte një gjë e tillë, kjo do të shënonte fillimin e një epoke të re në RMV. Më herët ka pasur një koalcion parazgjedhor mes BDI dhe LSDM për zgjedhejt presidenciale, por përzgjedhjet parlamentare do të ishte një risi në bllokun politik shqiptar dhe maqedonas.

Kujtojmë që në takimin e liderëve që u mbajt të dielën me iniciativë të presidentit Stevo Pendarovski u dakorduam që më 12 prill të vitit të ardhshëm të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pasi shteti nuk mori datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Flaka