Regjistrimi i popullsisë, “Patate e nxehtë” në duart e politikanëve

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 29 Tetor, 2019 10:08

Regjistrimi i popullsisë, “Patate e nxehtë” në duart e politikanëve

Prolongimi i regjistrimit të popullsisë për shkak të aktiviteteve zgjedhore vazhdon të debatohet në opinionin publik të Maqedonisë së Veriut, njofton Flaka  

Përcaktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme do të shtyjë Regjistrimin e Popullsisë të parashikuar për në muajin prill të vitit të ardhshëm. Nga Enti Shtetëror i Statistikave thonë se është e pamundur që njëkohësisht me zgjedhjet parlamentare të zhvillohet edhe procesi i regjistrimit.

“E thash atë për shkak se ideja ishte që zgjedhje të parakohshme të ketë nga fundi i tetorit, kështu që kishim mundësi që në pranverë të kemi Regjistrim të popullsisë, tashmë humbet mundësia për tu zbatuar në pranverë. Para zgjedhjeve është fushata, nuk mundemi atëherë, gjatë kohës së zgjedhjeve nuk mundeni, pas zgjedhjeve duhet të formohet Qeveria dhe të konstituohet Parlamenti, kështu që edhe këtu humbet mundësia. Unë të hënën apo të martën do të kem takim me drejtorin e Entit shtetëror statistikor, që të harmonizojmë në përputhje me rregullat e Eurostat-it, dhe kështu të sjellim vendim. Regjistrimi i popullsisë duhet të mbahet, unë besoj se do të mbahet në vitin 2020 ose më së voni në vitin 2021”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev, transmeton Flaka

Ilija Dimovski, i cili është pjesë e grupit të punës për harmonizimin e Ligjit për Regjistrimin e popullsisë, thotë se duhet ky proces duhet të mbahet në vitin 2021 për shkak se sipas standardeve të Eurostat-it, operacioni më i madh statistikor zbatohet në fillim të dekadës. Thotë se ende nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin për shkak se siç theksoi nuk ka pasur gatishmëri nga ana e pushtetit për të pranuar vërejtjet e tyre, njëra prej të cilave ka të bëjë me metodologjinë për zbatimin e Regjistrimit të popullsisë.

“Vërejtjet tona janë për më shumë çështje. Së pari kërkojmë transparencë më të madhe të bazës së të dhënave që i posedojnë institucionet e Republikës së Maqedonisë, d.m.th. Fondi i shëndetësisë, Ministria e arsimit, Agjencia për punësim, MPB dhe sisteme të tilla të mëdha që kanë shumë të dhëna të detajuara për popullatën aktive që jeton në RM. Ne kërkojmë që ato të jenë transparent dhe të përdoren në procesin e Regjistrimit të popullsisë”, tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Së fundmi, nën moton “Të dhëna më të mira. Jetë më e mirë” dhe me një ligj të pa miratuar për regjistrimin e popullsisë, u shënua Dita Evropiane e Statistikës. Ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar shpreson se do të realizohet regjistrimi i popullsisë dhe se nuk do të ketë pengesa që të miratohet në Kuvend ligji për realizimin e tij.

Zhbogar nënvizoi se shtyrja e regjistrimit të popullsisë ishte e nevojshme për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por shpreson se i njëjti do të realizohet deri në fund të këtij viti, ose më së voni vitin e ardhshëm, njofotn Flaka

“Për shkak të vendimit që të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ishte e nevojshme të prolongohet regjistrimi për shkak të vend i regjistrimit. Prolongimi është i logjikshëm në rrethana të tilla, Regjistrimi është proces nga i cili kanë dobi qytetarët dhe duhet të jetë I liruar nga ndikimi politik. Shpresoj që regjistrimi të mbahet deri në fund të këtij viti ose më së voni vitin e ardhshëm, kur të gjitha vendet anëtare të zbatojnë regjistrimin. Përgatitjet teknike për zbatimin e regjistrimit janë bërë dhe vlerësoj se nuk do të ketë pengesa për miratimin e ligjit përkatës në Kuvend”, deklaroi ambasadori Samuel Zhbogar.

Ai tha se sistemi statistikor i pavarur dhe i paanshëm është i nevojshëm për secilën shoqëri dhe për bartësit e politikave që të bëjnë plane më të mira për shërbim më të mirë të sektorit publik ndaj qytetarëve. Ndërsa rikujtoi se BE nëpërmjet fondeve IPA ka investuar rreth 5 milion euro, për reforma në Entin Shtetëror të Statistikave dhe Bankën Popullore. Zhbogar shtoi se në raportin e fundit të BE-së është vërejtur se në pjesën e statistikës nevojiten përmirësime, veçanërisht tek makroekonomia dhe mbrojtja sociale dhe se duhet të vazhdohet me reformat, jo për shkak të BE-së, por për shkak të vetë vendit.

Sakaq, drejtori i Entit Shtetëror për Statistika nëpërmjet një njoftimi njoftoi se i demanton deklaratat kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se Enti Shtetëror për Statistika fabrikon raporte me porosi nga Qeveria.

“Enti Shtetëror për Statistika është institucion profesional dhe i pavarur, që është vlerësohet dhe vëzhgohet nga ‘Eurostat’”, shprehen nga ESHS-ja duke shtuar se për shkak të shpifjeve do të paditen Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja.

Nga ESHS thonë se sipas praktikës ndërkombëtare dhe sipas përvojës, aktivitetet zgjedhore dhe të regjistrimit të popullsisë nuk mund të zhvillohen në mënyrë paralele, përcjell Flaka

“ESHS do të dorëzojë propozim deri te Ministria e Drejtësisë, që është propozues zyrtar i regjistrimit të popullsisë, që periudhën e zbatimit të regjistrimit ta prolongojë për vitin 2021 ndërsa Ligji për regjistrimin e popullsisë të formohet para formimit të Qeverisë teknike”, shprehen nga ESHS.

Regjistrimi i popullsisë ishte i paraparë që të mbahet në prill të vitit 2020, por pasi zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë përcaktuar për më 12 prill, tani për tani mbetet e paqartë se kur do të realizohet ai. Përndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në vend, nuk është realizuar që në vitin 2002, edhe përskaj tentimeve të shumta, të cilat kanë dështuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Drejtori Apostoll Simovski, tha se përpara zgjedhjeve të 12 prillit nuk ka shanse teknike të organizohet regjistrimi. Ai shtoi se në rastin më të mirë ky proces do të zhvillohet në Nëntor të vitit 2020, nëse Ligji i ri për Regjistrimin e popullsisë miratohet në Kuvend para vitit të ri. Flaka 

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 29 Tetor, 2019 10:08