Zaev shpreson që vendi mund të merr vendim pozitiv për hapjen e negociatave

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 26 Tetor, 2019 16:31

Zaev shpreson që vendi mund të merr vendim pozitiv për hapjen e negociatave

Kryeministri Zoran Zaev shpreson që vendi mund të merr vendim pozitiv për hapjen e negociatave në Këshillin Evropian më 7 maj, por thotë se kësaj here nuk mund t’i japë vetes të drejtë që ta ngre optimizmin sikurse ka bërë deri më tani. Zaev tha se alternativa e vetme mbetet anëtarësimi në BE, duke nënvizuar se duhet punuar edhe më fuqishëm që të shërbejë si arsye më tepër që BE të korrigjojë gabimin historik që e bëri këtë herë.

Zoran Zaev, Kryeministër
“Unë shpresoj gjithësesi, por tani nuk mund të jap të drejtë që ta ngris optimizmin aq sa e kemi ngritur deri më tani, ndonjë herë optimizmi kryen punë të madhe, ai bëri punë edhe në marrëveshjet që i arritëm edhe atë që e kemi arritur brenda vendit… Mbetet që ne të punojmë, ndërsa BE-ja kur të vendosë le të na e kumtojë atë… Duhet të punojmë akoma më fuqishëm dhe kjo mund të jetë vetëm arsye më tepër që BE-ja ta sjellë vendimin që tani për shkak të kësaj padrejtësie të madhe, që unë e quajta gabim historik, të mund ta korrigjojë“.

Zaev përsëriti se edhe Maqedonia e Veriut edhe Shqipëria kanë plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e negociatave, por se ata që kishin nevojë për kohë shtesë ishin pikërisht vendet e BE-së, më sakt Franca e cila u bë arsyeja për mosmarrje të datës.

Zoran Zaev, Kryeministër
“Prolongimi i vendimit për 7 maj, për kohën e samitit evropian për Ballkanin Perëndimorë në Zagreb, ka ardhur pikërisht prej Francës, e cila tha se ajo nuk është e gatshme, me këtë edhe Këshilli Evropian akoma nuk është i gatshëm që ta bëjë hapin”.

Ndryshe, në mbledhjen e Këshillit të Evropës, ishte Franca ajo që nuk dha dritë jeshile për hapje të negociatave mes BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pas çka vijuan kritika të shumëta ndaj presidentit francez, Emanuel Macron.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 26 Tetor, 2019 16:31