Pendarovski nga Tirana: Të dy vendet duhet të jenë së bashku

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 26 Tetor, 2019 16:22

Pendarovski nga Tirana: Të dy vendet duhet të jenë së bashku

Pas ceremonisë shtetërore në Pallatin e Brigadave, ku presidenti i Republikës priti homologun e tij në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski; dy presidentët dolën në një konferencë të përbashkët, përcjell Flaka 

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk kanë asnjë alternativë, përveç asaj evropiane, ky është qëndrimi i përbashkët i dy Presidentëve Stevo Pendarovski dhe Ilir Meta.

Sipas Presidentit të Maqedonisë, të dy vendet kanë shpenzuar shumë kohë në perspektivat evropiane dhe për këtë arsye vendeve anëtare duhet tu sqarohet, se ky nuk është anëtarësim i plotë, por vetëm fillimi i një procesi të gjatë në të cilin standardet evropiane kanë kohë të mjaftueshme për tu zbatuar.

“Ndarja e dy shteteve nuk ishte pjesë e fjalorit tim. Të dy vendet duhet të jenë së bashku”, tha Pendarovski.

“Unë propozova që shtetet e Ballkanit Perëndimor në periudhën e ardhshme të mbajnë një samit të jashtëzakonshëm ku do të diskutojmë për marrëdhëniet ndërfqinjësore, dhe në pas kësaj edhe me alternativat e zgjerimit. Konsideroj se Maqedonia e Veriut duhet të jetë mikpritëse e këtij samiti. Procesi i ndarjes së dy shteteve, asnjëherë nuk ka qenë pjesë e fjalotit tim politik, sepse mendoj se dy shtetet duhet t’i fillonin negociatat. Ne harxhuam shumë kohë tek miqtë tanë t’i bindim se nuk bëhet fjalë për anëtarësim të plotë, por vetëm fillim të një procesi që do të vijojë me vite të tëra. Një Gjermani dhe Francë që ka arritur për 200-300 vite, ne duam ta bëjmë për shumë më shpejt. Këtë radhë nuk na u mundësua. Ky është një ndëshkim i pamerituar për të gjithë Rajonin. Rajoni nuk duhet të jetë i harruar”, është shprehur Stevo Pendarovski.

Meta u shpreh se “nuk jemi të lumtur përsa i përket negociatave, por është tepër e qartë që ndajmë një qëndrim të përbashkët”.

“E vetmja rrugë dhe e vetmja alternative për dy vendet mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian; në këtë drejtim do forcojmë përpjekjet tonë për të qenë të besueshëm, si në planin e brendshëm dhe në atë të bashkëpunimit edhe me vetë Bashkimin Evropian, në mënyrë që sa më shpejt të kemi zhvillime pozitive. Çdo ide tjetër do ishte e papranueshme, për një rajon që është jetik për të ardhmen e kontinentit; është i rrethuar nga vendet e Bashkimit Evropian”, tha Meta, përcjell Flaka

Më tej, Meta shtoi: Do të forcojmë detyrat tonë të brendshme në mënyrë që sa më shpejt të jetë i mundur anëtarësimi.

“Duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha dhe platforma me e mirë është ajo e Bundestagut gjerman që kërkohet një konsensus dhe një realizim i përbashkët nga të gjithë palët në vendin tonë. Të intensifikojmë marrëdhëniet mes të rinjve, mesazhe sa më pozitive jo vetëm të bashkëjetesës por edhe të ardhmes së tyre të sigurt në vendet tonë, në mënyrë që të dekurajojmë çdo tendencë për t’u larguar nga vendet tona; ky është një rajon me një protencial të madh për t’u zhvilluar shpejt”, përfundoi presidenti Meta.

Kujtojmë që Pendarovski në Tiranë do të ketë fjalim e tij edhe në Samitin e paqes të Evropës Juglindore të organizuar nga Federata Universale për paqe. Flaka 

 

 

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 26 Tetor, 2019 16:22