Koalicionet mes partive shqiptare, “një lindje e rëndë” !

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 26 Tetor, 2019 10:54

Koalicionet mes partive shqiptare, “një lindje e rëndë” !

Koalicionet mes partive shqiptare duke një lindje tejet e rëndë. Ky realitet duket se shoqëron edhe këtë periudhë parazgjedhore për zgjedhjet e lajmëruara për e 12 prill – 2020, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka 

Thirrjet e liderëve për bashkëpunim ndër partiak tek opozita shqiptare por edhe disa parti që aktualisht janë në pushtet, në shikim të parë duket thirrje me “shpec” dhe kështu po kuptohen edhe nga liderët e tjerë.

I tillë ishte rasti me thirrjen e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i fton publikisht Lëvizjen Besa dhe Alternativën për koalicion parazgjedhor. Në debatin në “Rruga drejt”, Sela kërkoi që kundrejt Aleancës, Besës dhe Alternativës të bashkohen BDI, PDSH dhe RDK me qëllim formimin e dy blloqeve shqiptare para zgjedhjeve të 12 prillit 2020.

“Shkurt e shqip nuk kam pas akoma negociata për zgjedhje, qoftë me Lëvizjen Besa apo qoftë me Alternativën. Por u bëj thirrje publike, ja nga këtu: Aleanca për Shqiptarët është e interesuar për një koalicion me Lëvizjen Besa dhe Alternativën bashkë”, tha mes tjerash Sela.

Por kjo thirrje e Selës, në një formë u kuptua si provokim nga dy partitë e tjera, të cilat mes veti shihen si armiq pas ndarjes mes tyre.

Si përgjigje, kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami shkon një hap më tej ftesës së Ziadin Selës për bashkëpunim mes Aleancës për Shqiptarë, Lëvizjes Besa dhe Alternativës. Kasami në emisionin 360 gradë në Alsat bëri thirrje për bashkëpunim gjithë opozitarë duke ftuar të gjitha subjektet politike, organizatat joqeveritare dhe intelektualët.

“Nëse i bëjmë ftesat për koalicione apo ftesat për koalicione të mundshme parazgjedhore nëpër studio televizive, atëherë më lejoni qe edhe unë nga studio e juaj të bëj një ftesë për një bashkëpunim gjithë shqiptar, gjitha partitë politike të regjistruara te shqiptarët, PDSH, Aleanca, Alternativa, RDK, Uniteti, të gjithë intelektualët, diaspora, aktivistët dhe gjithë spektrin opozitar që të bëjmë këtë ndryshim dhe shqiptarëve të Maqedonisë t’i ofrojmë një opsion i cili BDI-në do ta çojë në opozitë dhe tek shqiptarët do të bjerë ndryshimin i cili ata do t’i përfaqësoj denjësisht në institucionet e shtetit – deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa, duke provokur Selën kur flet për bashkëpunim me Memedin e RDK-së dhe Thaçin e PDSH-së, dy parti po ashtu të konfliktuara me ASH-në. E para,  u shkëput nga koalcioni me Selën, kurse Thaçi e quan puçist Selën pas shkëputjes nga partia e ti.

Po ashtu, në debatin në emisionin “click-plus” në TV21, që po diskutohej rreth koalicionimeve të mundshme parazgjedhore në mes partive politike, Arjanit Hoxha nga Lëvizja BESA, deklaroi se “gjërat janë shumë të qarta”, dy parti shqiptare janë në opozitë dhe tri në pushtet. Ai tha se BESA është e gatshme të koalicionoj me ASH-në dhe se BESA dhe ASH është opozita e vërtetë shqiptare.

“Jemi të gatshëm për koalicion me ASH-në por asesi me ndonjë parti të pushtetit”, përfundoj Hoxha, duke përjashtuar opsionin e bashkërendimit me Alternativën e Gashit, e cila doli si fraksion nga Besa.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti përsërit porosinë e njejtë. Gjatë debatit në emisionin “ Argument” në TVM2, Ahmeti bëri  thirrje që në zgjedhjet e 12 prillit të bashkohet që të parandaloj djegien e mandateve te shqiptarët.

“Kam bërë përpjekje për t’i ulë në një tavolinë por më kanë zhgënjyer, më kanë dëshpëruar. Qëndrimi ynë është i qartë. Unë mendoj por e kam thënë edhe me zemër, le të bashkohen partitë shqiptare përball BDI-së, le të bëhet opozitë e fortë dhe le ta fitojë BDI-në. Do fitojnë shqiptarët kur opozita do të jetë një parti. BDI nuk do të krijoj satelit, ata që janë me VMRO –në dhe LSDM-në janë satelit. BDI a ka pas mundësi të krijoj satelitë, po ka pas, të merr prej partive tjera, po .Sot kam mundësi të bëj rrëmujë, çka fitoj, asgjë veç bëjmë rrëmujë. Mirë është opozita le të bashkohet. Në zgjedhjet e fundit humbën 10 mandate, nuk humbi BDI por humbën shqiptarët”, ka deklaruar lideri i BDI-së Ali Ahmeti.

Partnerët e koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI kanë qëndrime të ndryshme sa i takon koalicionimit të mundshëm parazgjedhor. Për kreun e BDI-së Ali Ahmeti, koalicioni me partinë e Zoran Zaevit nuk do të jetë në shërbim të asnjërës partie duke konsideruar se ata kanë dallime në programe. Sipas tij, koalicione të ngjashme parazgjedhore janë të logjikshme vetëm në nivele lokale ose siç ishte rasti me zgjedhjet presidenciale.

E VMRO-DPMNE-ja është duke negociuar për ri-organizimin e koalicioneve parazgjedhore. Lideri i partisë më të madhe opozitare, Hristijan Mickoski ditë më parë deklaroi se negociata po zhvillohen edhe me subjektet shqiptare, partnerë të LSDM-së së Zoran Zaevit, që i bie Alternativa dhe PDSH.

VMRO-DPMNE-ja nuk është kundër një koalicioni eventual parazgjedhor mes LSDM-së dhe BDI-së dhe e konsideron atë si të drejtë demokratike. Kreu i opozitës Hristijan Mickoski deklaroi se partia e tij është në bisedime me të gjithë partitë dhe e hapur për bashkëpunime, përfshirë këtu edhe opozitën shqiptare.

Në lidhje me bashkëpunimin mes partive shqiptare në të kaluarën – nuk ka çka të tregohet për diçka pozitive si para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale, ashtu dhe më pas për të faktorizuar interesin kombëtar. Flaka

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 26 Tetor, 2019 10:54