Cilat do të jenë kompetencat e qeverisë teknike ? 

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 21 Tetor, 2019 11:36

Cilat do të jenë kompetencat e qeverisë teknike ? 

Më 12 prill të vitit të ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ky vendim vjen pasi që vendi dështoi të marrë datën për fillimin e negociatave me BE, njofton Flaka 

Në takimin e liderëve u caktua data e zgjedhjeve, pas një kompromisi me partitë politike parlamentare. Por, këto zgjedhje do të organizohen nga një Qeveri teknike, sipas marrëveshjes së Përzhinës të vitit 2015.

Në bazë të kësaj marrëveshje, Qeveria teknike ka mandat 100 ditësh për organizimin e zgjedhjeve, ndërsa kryeministri teknik do të jetë i nominuar nga partia që deri tani ka udhëhequr Qeverinë, gjegjësisht nga LSDM-ja.

Një nga emrat që është lakuar për kryeministër teknik dhe që e propozoi edhe kryeministri Zoran Zaev, është Oliver Spasovski ose një kandidat tjetër nga socialdemokratët.

Ndërsa VMRO-DPMNE-së si partia kryesore opozitare do ti takojë posti i ministrit të brendshëm, ministria e bujqësisë, ministria e punës sociale si dhe poste zv/ministrash.

Poste ministrore do të ketë edhe për partitë opozitare shqiptare.

Por cilat janë kompetencat e qeverisë teknike ? 

Qeveria teknike të vitit 2016, kishte privilegjet e veprimtarisë së një qeverie të zakonshme. Kjo, me një vendim nga ana e Komisionit për Antikorrupsion të asaj kohe. Ky vendim, i publikuar në formën e një mendimi në sajtin zyrtar të Komisioni antikorrupsion me një volum prej 35 faqesh, nuk u vlerësua si vendim i pritur dhe meritur nga një institucion i tillë.

Me këtë vendim, qeveria kishte kompetenca në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve, anëtarëve të bordeve menaxhuese dhe mbikqyrëse, ambasadorëve, e tjerë.

Në të gjitha normat pozitive të ligjit për parandalimin e korrupsionit nuk është e lejuar që në këtë fazë, posaçërisht të bëhen punësime të reja, të jepen koncesione, të jepen në shfrytëzim pasuritë të cilat kanë të bëjnë me interesin publik apo që janë në pasuri shtetërore.

Por çka parashikon kodi zgjedhor ?

“Proces zgjedhor” është koha nga miratimi i aktit të shpalljes së zgjedhjeve deri në publikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura, në nivel të komunës, qytetit të Shkupit, respektivisht njësinë zgjedhore ku kryhet zgjedhja.

Nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e procesit zgjedhor, sipas kodit zgjedhor, nuk mund të disponohet me mjete buxhetore të Republikës së Maqedonisë, mjete të buxheteve të komunave dhe qytetit të Shkupit, të fondeve publike dhe mjete të ndërmarrjeve dhe institucioneve publike ose personave juridikë që disponojnë me kapital shtetëror, të fillojë ndërtimi me mjete nga buxheti ose nga fonde publike ose mjete të ndërmarrjeve publike dhe personave tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror të objekteve të reja të infrastrukturës si rrugë, ujësjellës, largpërçues, kanalizim, terrene sportive dhe objekte tjera; ose objekte për veprimtari shoqërore, shkolla, çerdhe dhe objekte tjera, përveç nëse për këtë qëllim paraprakisht janë siguruar mjete nga buxheti, respektivisht bëhet fjalë për realizimin e programit të miratuar në bazë të ligjit në vitin vijues dhe të kryhen pagesa të rrogave, pensioneve, ndihmës sociale ose pagesa tjera dhe kompensime materiale nga mjete buxhetore ose nga mjete të fondeve publike që nuk janë mjete pagesore të rregullta mujore.

Të gjitha transferet njëvjeçare dhe pagesa të transfereve të njëhershme nga mjete buxhetore ose nga mjete të fondeve publike, as të tjetërsohet kapitali shtetëror ose të nënshkruhen marrëveshje kolektive.

Në periudhë prej 20 ditësh para fillimit të fushatës zgjedhore deri në përfundimin e zgjedhjeve dhe zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë në pajtim me rezultatet e zgjedhjeve, si dhe nga dita e miratimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e zgjedhjeve, nuk mund të paguhen subvencionet që nuk janë pagesa të rregullta mujore dhe -të mbahen ngjarje publike me rastin e fillimit të ndërtimit ose lëshimit në përdorim të objekteve me mjete nga Buxheti ose fonde publike, ose me mjetet e ndërmarrjeve publike ose personave tjerë juridikë që disponojnë me kapital shtetëror, në infrastrukturë si rrugë, ujësjellës, largpërçues, kanalizim, terrene sportive ose objekte për veprimtari shoqërore, çerdhe si dhe objekte të tjera. Me ndalim të mbajtjes së ngjarjeve publike nuk nënkuptohet, veçanërisht: dhënia e deklaratës publike e bartësit të funksionit publik ose kandidatit për bartës të funksionit publik në miting, intervistë në medie, debat në medie ose përgjigje të pyetjes së gazetarëve.

Po ashtu, Ministria e Financave është e obliguar që tërë pagesat buxhetore, përveç rrogave të rregullta, pensionet dhe shpenzimet komunale, t’i publikojë në faqen e internetit në bazë të veçantë të shpenzimeve buxhetore në periudhën zgjedhore. Ministria e Financave, dy javë pas shpalljes së zgjedhjeve parashtron raport parazgjedhor financiar në të cilin do të përfshihet pasqyrimi i të gjitha të hyrave dhe shpenzimeve të planifikuara dhe të realizuara nga Buxheti sipas zërave, në periudhën prej fillimit të vitit fiskal deri në ditën e parashtrimit të raportit që publikohet në ueb faqen e Ministrisë së Financave. Flaka 

 

 

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 21 Tetor, 2019 11:36