Ekspertët kërkojnë miratimin e Ligjit për Prokurorinë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 20 Tetor, 2019 15:44

Ekspertët kërkojnë miratimin e Ligjit për Prokurorinë

Pa ligj funksional për Prokurorinë Publike nuk ka ndjekje efikase të krimit dhe korrupsionit. Ekspertët juridik vlerësojnë se zvarritja e miratimit të ligjit për Prokurorinë ka vënë në ngërç organin e akuzës, duke ndikuar në organizimin e brendshëm, shtrirjen e akuzave e deri tek bashkëpunimi me institucionet tjera.

Pa ligj funksional nuk mund të jetë funksionale Prokuroria Publike. Me ligj rregullohet organizimi i brendshëm i institucionit, kompetencat, mënyra e punës, roli i institucionit me institucionet tjera nën sistem etj. Duhet ligj funksional i cili me normat e përcaktuara do të garantonte funksionim të Prokurorisë Publike dhe organeve të ndjekjes penale”-tha Temellko Ristevski, jurist.

Temellko shton se pushteti dhe opozita zhgënjyen faktorin ndërkombëtare me pamundësinë për të gjetur kompromis mbi fatin e PSP-së dhe funksionimin e Prokurorisë Publike.

Bashkësia ndërkombëtare priti nga ne të zgjidhet çështja e Prokurorisë Speciale Publike por për shkak të obstruksioneve nga opozita të cilat disa herë janë përmendur, e që kishin për qëllim mbrojtjen e kriminelëve nga kryesia e VMRO-DPMNE-së, nuk kaloi. Shpresoj që t’i thërrasin mendjes shpejtë dhe mbi bazën e kompromisit të zgjidhet çështja e Ligjit për Prokurorinë Publike”-pohoi Temellko Ristevski, jurist.

Mbi propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike, opozita dhe pushteti negociojnë gati 10 muaj por pa epilog. Qëndrimet e palëve janë të kundërta, ndërsa organi akuzës vazhdon të përballet me pengesa ligjore në zbatimin e masave të posaçme hetuese, bashkëpunimin me institucionet shkencore si dhe subordinimi i prokurorëve në nivel shtetëror.

Adrian Kerimi

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 20 Tetor, 2019 15:44