Dështimi i mundshëm i çeljes së negociatave, mundësi për zgjedhje të parakohshme

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 17 Tetor, 2019 12:08

Dështimi i mundshëm i çeljes së negociatave, mundësi për zgjedhje të parakohshme

Duket që ngecja e Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave me BE-në, nga partitë opozitare shihqet si mundësi për zgjedhje të parakoshme Parlamentare, shkruan Flaka 

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, sonte deklaroi se pret rekomandim dhe  datë të pastër për fillimin e negociatave me BE-në, në të kundërtën formimin e qeverisë teknike dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Qytetarët meritojnë nisjen e bisedimeve. Çdo situatë jashtë nisjes së bisedimeve do të jetë dështim për këtë Qeveri dhe mossukses dhe delegjitimim i politikave të Zoran Zaevit dhe koalicionit që udhëheq ai”, tha Mickoski sonte në takimin me qytetarët e Kisella Vodës.

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilal Kasami, thotë se nëse Maqedonia e Veriut nuk fillon negociatat me Bashkimin Evropian, qeveria duhet të japë dorëheqjen dhe të thërrasë menjëherë zgjedhje të parakohshme.

“Ne si Besa shpresojmë që BE të kapërcejë veten dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur, pra para Vitit të Ri, vendi do të marrë një datë për negociata. Nëse Maqedonia e Veriut nuk merr një datë, vetë kryeministri tha, kjo qeveri ka vdekur dhe duhet të thirren zgjedhje të parakohshme “, tha Kasami.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela theksoi në emisionin në “Klik Plus” se partia që drejton ka planin B nëse vendi nuk do të marrë datën për negociata.

Sipas Selës, BE duhet ta jap datën për qytetarët e Maqedonisë dhe jo për qeverinë aktuale, që nuk e meriton aspak.

“Plani i opozitës janë zgjedhjet e parakohshme dhe ne e kemi kërkuar. Duhet sa më shpejt të bëjmë qeverinë e Përzhinës dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme në pranverë. Sa më herët vendi të shkonte në zgjedhje dhe të binte ajo pjesë e regjimit, aq më afër do të ishim pranë BE-së.”, theksoi Sela.

Thirrjeve për zgjedhej të parakohshme, u parapriu edhe prononcimi i kryeministrit Zaev, i cili në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Zaev tha se, pret një vendim pozitiv për Maqedoninë, pasi asnjë shtet anëtar i BE nuk i ka bërë publike komentet e tyre.

“Nuk ka asnjë alternative për ne. Në qoftë se nuk merret një vendim, ne nuk mund të heqim dorë nga BE. Sigurisht që BE është e ardhmja jonë. Me siguri do të shkatërrojë qeverinë në Maqedoni. Por disa të tjerë do të vijnë dhe do të vazhdojnë atë rrugë. Sepse ne madje kemi ndryshuar emrin tonë për hir të BE-së. Ne bëmë marrëveshje me Bullgarinë dhe Greqinë. Ne kemi përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë, Shqipërinë, Kosovën, me fqinjët tanë në atë drejtim. Unë besoj se do të ketë gjithnjë e më shumë motivim për të vazhduar më shumë punën për të treguar edhe më shumë sukses ”, tha Zaev.

A do të ketë zgjedhje të parakohshme apo jo, do të varret nga epilogu i takimit të liderëve Evropian, por nuk përjashtohet mundësia, që edhe nëse nuk do të ketë datë për negociata, qeveria që vazhdon mandatin deri në fund, pasi kryeministri Zaev disa herë e ka kundërshtuar opsionin e zgjedhjeve të parakohshme, dhe deklarata e fundit e tij mund të llogaritet si presion ndaj politikanëve evropian. Flaka

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 17 Tetor, 2019 12:08