OEMVP- Maqedonia e Veriut në raportin Indeksi Global i Konkurrueshmërisë

Natyra e ndryshueshme e konkurrueshmërisë ekonomike në një botë e cila vazhdimisht nxjerr në pah teknologji të reja, është duke krijuar një sfidë të re për bizneset dhe qeveritë të cilave në mënyrë kolektive ju kanoset rreziku i ndikimit negativ në rritjen ekonomike dhe produktivitet. Kjo është çështja kyçe e cila mund të vërehet në raportin Indeksi Global i Konkurrueshmërisë i Forumit Ekonomik Botëror (WEF) i cili u publikua sot, transmeton Agjencia e Lajmeve FLAKA

Duke u bazuar në raportin i cili përdor metodologji që tërësisht përfshin faktorët që ndikojnë në dinamikat e ekonomisë globale në Revolucionin e katërt industrial, shumë faktorë të cilët kanë ndikimin më të madh në konkurrueshmëri në të ardhmen kanë qenë në fokusin e vendimeve më të mëdha politike në të kaluarën. Këtu përfshihen gjenerimi i ideve, kultura sipërmarrëse, qasje të hapur dhe shkathtësia.

Në raportin e vitit 2019 ka të dhëna për 141 ekonomi të cilat nëpërmjet 103 indikatorëve janë organizuar në 12 shtylla. Për çdo indikator, duke përdorur shkallë të vlerësimit prej 0 në 100, tregohet se sa një ekonomi mund të paraqitet si “shtet ideal” ose kufizohet në fushën e konkurrueshmërisë. Nga kjo gjë mund të arrihet deri tek përfundimi që në secilin shtet të analizuar në këtë raport ka hapësirë për përmirësim. Nga ajo që mund të shihet nga ky raport është stagnimi i shumicës së shteteve në sferën e inovacioneve. Ballafaqimi me Revolucionin e katërt industrial është duke paraqitur një faktor i cili vendos për konkurrueshmëri. Me këtë raport, Forumi Ekonomik Botëror pasqyron se si ekonomitë e shteteve reagojnë në fushën e ndryshimeve globale.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore edhe këtë vit paraqitet në rolin e partnerit institucional të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), që ka ndihmuar në përpilimin e këtij raporti të rëndësishëm i cili na njofton me të dhënat relevante të cilat bëjnë vlerësimin e konkurrueshmërisë, produktivitetit dhe prosperitetit të shteteve. Në bazë të të dhënave, R. e Maqedonisë së Veriut radhitet diku në mes në radhitjen e përgjithshme ndërsa në mesin e shteteve Europiane është e parafundit. Raporti i vitit 2019 është transparent dhe paraqet imazh të vërtetë për R. e Maqedonisë së Veriut, pasi që bazohet në të dhëna reale në bazë të anketave dhe hulumtimeve të shumta të cilat janë zhvilluar nga ana e OEMVP-së. Kështu mund të fitohet një përshtypje më se të vërtetë për gjendjen faktike e cila është e pranishme në shtetin tonë. Globalizimi dhe inovacioni padyshim do të jenë çdoherë nxitës të shtetit deri tek arritja e përmirësimit së mirëqenies në shtet. Këtu ndikim shumë të madh kanë politikëbërësit kryesor në shtet të cilët do të ndikojnë në zhvillimin dhe përparimin e shtetit, duke i ndihmuar shtetit tonë në fusha të shumta nëpërmjet të së cilave do të arrihet ballafaqim i sigurtë me trendet e reja botërore ekonomike dhe të të gjithë sferave tjera, transmeton Flaka

Në raportin e 2019, RMV-ja është radhitur në vendin e 82 nga 141 shtete të kyçura në Indeksin Global të Konkurruenshmërrisë, për dallim nga viti paraprak ku ajo u rradhit në vendin e 84. Ajo që është karakteristike për RMV-në në shtyllën e parë – Institucionet, Maqedonia e Veriut është e radhitur në vendin e 84 ( në vitin 2018 – 85), gjë që tregon se biznesi has në vështirësi institucionale në funksionimin e tij. Gjithashtu, edhe në shtyllën e dytë – Infrastruktura, që është me rëndësi të jashtëzakonshme për një ekonomi të shëndoshë, vendi ynë radhitet në vendin e 75 (në vitin 2018 – 80), gjë që dëshmon se kërkesat e OEMVP-së për të realizuar investime kapitale në infrastrukturë janë më se të rëndësishme.

Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për ekonomitë është edhe Arsimi dhe kualifikimi cilësor i fuqisë punëtore në të cilën përsëri RMV këtë vit është radhitur në vendin e 83 (në vitin 2018 – 81), ndërsa në nën-shtyllat që vlerësojnë cilësinë e arsimit profesional është në rangun e 131 (2018 – 130), që përsëri dëshmon që në vendin tonë nuk kemi fuqi punëtore adekuate, gjegjësisht fuqi punëtore që i përshtatet kërkesave të tregut.

Sistemi financiar sipas këtij raporti, tregon që RMV është e radhitur në vendin e 83(2018 – 80), kurse përkrahje e lokomotivës së ekonomisë, gjegjësisht Ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me kredi është radhitur në vendin 115 (2018 – 114), tregues i cili e vërteton pamundësinë në qasjen e financave në NVM.

Ndërsa, rezultat pozitiv sipas këtij raporti, RMV në nën-shtyllën e katërt – inflacion, gjegjësisht mirëmbajtjen e inflacionit, ku Maqedonia e ndan vendin e parë me 88 shtete të tjera.

Përkrah faktit që radhitja e këtij viti  është përmirësuar në krahasim me atë të vitit paraprak, raporti përsëri është shqetësues sepse Maqedonia e Veriut radhitet dobët në Infrastrukture (vendi 75), Arsimi dhe kualifikimi Cilësor i fuqisë punëtore (vendi 83) sistemi financiar (vendi 83), edhe njëherë duke i arsyetuar shqetësimet dhe kërkesat e OEMVP-së për investimet kapitale. FLAKA