Kosova voton, Neziri: Zgjedhjet pritet të prodhojnë një qeveri reformuese

Qytetarët e Kosovës, nga ora 07:00 deri në orën 19:00, do të kenë mundësi për të votuar për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Analistët politik nga Maqedonia e Veriut ndajnë bindjen që zgjedhjet në Kosovë pritet të prodhojnë një qeveri reformuese, shkruan Agjencia e lajmeve Flaka 

Për analsitin politik, Xhelal Neziri, zgjedhjet pritet të prodhojnë një qeveri reformuese, që më shumë do të shohë të ardhmen e Kosovës në strukturat euroatlantike, një qeveri të guximshme për të marrë vendime të mëdha e historike dhe natyrisht një qeveri me një shumicë stabile në Kuvend.

“Qeveria e re me patjetër të ketë legjitimitetin, autoritetin dhe guximin për të përmbyllë kapitullin e fundit të shtetformimit, që është finalizimi i dialogut me Beogradin i cili do të prodhonte njohjen edhe nga ana e Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës pa dyshim se do të sjellë një moment të ri në Ballkanin Perëndimor, i cili më shpejtë do të mund të lëvizë drejt integrimit në strukturat perëndimore”, deklaroi për Agjencinë e Lajmeve Flaka, Neziri. 

Për zgjedhjet e 6 tetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte, prej tyre 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit kanë saktësisht 1 milion e 937 mijë e 869 votues. Në këto zgjedhje janë më shumë se 100 mijë votues të ri. Flaka