ASH dhe Besa: Jemi aktiv por na shpërfillin (VIDEO)

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 6 Tetor, 2019 12:26

ASH dhe Besa: Jemi aktiv por na shpërfillin (VIDEO)

Opozita shqiptare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, përbëhet nga 5 deputetë. Tre deputetë janë të Aleancës për Shqiptarët dhe dy të Lëvizjes Besa. Tv21 ka pyetur deputetët e këtyre dy partive, se sa janë aktiv në Kuvend. Deputeti Syrja Rashidi nga ASH-ja tha se ata në mënyrë aktive ndjekin ndodhitë në Kuvend dhe se vazhdimisht kryen konsolidime të brendshme partiake.

Në raportin e fundit të “DEPUTETI IM” thuhet se Syrja Rashidi, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti , ka dorëzuar dy propozim-ligje dhe 7 amendamente, ka bërë 5 pyetje deputetësh, si dhe është anëtar në katër grupe pune ku ka mbajtur dy fjalime.

Deputeti Ziadin Sela, ka propozuar vetëm 1 amendament si dhe është pjesëmarrës në dy trupa punues, kurse gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore ka mbajtur vetëm një fjalim. Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, ankohet se opozita shqiptare nuk gëzon respekt në Kuvend dhe se rasti i fundit me mospranimin e asnjë amendamenti për rebalancin e buxhetit për këtë vit e dëshmon ketë gjë.

Deputeti i Besës Fadil Zendeli, në periudhën nga janari deri në qershor të këtij viti ka parashtruar një pyetje deputetësh, ka dorëzuar tre propozim-ligje dhe 8 amendamente. Është anëtar në 7 trupa punues, si dhe në seanca plenare ka mbajtur 3 fjalime.

Kurse deputetja e kësaj partie Teuta Bilalli, ka propozuar një amendament, nuk është anëtare e asnjë trupi punues dhe nuk ka parashtuar asnjë pyetje gjatë seancës për pyetje deputetësh. Ndërsa në seancë plenare nuk ka mbajtur asnjëherë fjalim. Edhe pse dy partitë opozitare kanë 5 deputetë së bashku , megjithatë çdo herë kur nevojitet shumicë prej 2/3 në Kuvend, votat e tyre janë kyçe./TV21

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 6 Tetor, 2019 12:26