Instagram me aplikacion të ri për mesazhe me miqtë tuaj

Instagram ka krijuar një aplikacion të ri mesazhesh i paraparë për të thjeshtësuar komunikimin me miqtë e afërm.

I quajtur “Threads”, aplikacioni u ofron përdoruesve një mënyrë më të lehtë për të ndarë postimet e tyre me miqtë e caktuar.

“Për rrethin tuaj të ngushtë të miqve, kemi parë nevojën për të mbetur më të lidhur përgjatë ditës, andaj ju mund të komunikoni se çfarë po bëni dhe si ndiheni përmes fotografive dhe videove”, ka thënë Robby Stein, drejtor për produkte në Instagram, në një njoftim të enjten.

“Threads” lidhet me platformën ekzistuese të Instagramit duke u mundësuar përdoruesve të importojnë listën e “miqve të afërm”. Çdokush që nuk ka krijuar një listë të tillë në Instagram mund ta bëjë direkt përmes “Threads”.

Përdoruesit më pas mund të ndajnë video, fotografi, storie e mund të dërgojnë mesazhe në formë teksti te miqtë e afërm. Po ashtu mund të vënë statuse si “duke mësuar”, që u shfaqet të gjithë miqve të afërm brenda aplikacionit – një veçori që mbahet mend nga aplikacionet e vjetra si “Instant Messenger”.

“Threads” është përpjekja e re e Instagramit për të dyfishuar funksionalitetin në aplikacionet e veta, përcjell koha.

Në qershor të vitit 2018, Instagrami lansoi “IGTV” për videot më të gjata, teksa ka inkorporuar përmbajtjen e njëjtë edhe në aplikacionin bazë.

Aplikacioni është duke u lëshuar në dy platformat më të mëdha, iOS dhe Android.