Shtohen rastet e vjedhjeve në objektet fetare në rajonin e Pollogut

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 2 Tetor, 2019 12:12

Shtohen rastet e vjedhjeve në objektet fetare në rajonin e Pollogut

Shtohen rastet e vjedhjeve në objektet fetare në rajonin e Pollogut. Tridhjetë e një vejçari P.J. nga fshati Vollkovi e Tetovës, dje (1-tetor), ka denoncuar se persona të panjohur në periudhën prej datës 29 shtator dei 1 tetor të këtij viti, kanë thyer xhamin e dritares së mbrapme të kishës ,, Shën Gjergji,, si dhe kanë dëmtuar dy kanaçe plastike plehrash, të cilat kanë qenë të vendosura në oborrin e kishës, njofton Flaka, duke u thirrur në buletinin policor. 

Ekipi nga SPB Tetovë, ka kryer inspektimi në vendin e ngjarjes. Sakaq, gjatë vikendit të kaluar policia njoftoi për një vjedhje të ndodhur në Xhaminë e Rinisë në Gostivar. Kështu, më 29 shtator në Stacionin Policor Gostivar është denoncuar se më 28.09.2019 rreth orës 10:30, disa kryes të panjohur kanë kryer vjedhje të rëndë në xhaminë ‘Rinia’ në rrugën ‘Beliçica’.

Sipas denoncimit, kryesit me përdorim të dhunës kanë hapur kutinë metale dhe kanë marrë para. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e plotë të rastit.

Gjendja e rënduar sociale dhe ekonomike, krahas pasojave të tjera në rrafshin social, shoqërohet edhe me rritje drastike të rasteve të vjedhjeve. Thellimi i krizës sociale dhe ekonomike, ka thelluar edhe fushëveprimin e autorëve të vjedhjeve. Buletini i policisë për çdo ditë pasqyron raste të vjedhjeve të kryera thuajse në çdo vend, në çdo formë dhe në çdo kohë, shkruan Flaka

Grabitësit nuk zgjedhin mënyrën dhe mjetet për të arritur deri te qëllimi. Së fundmi, policia e Gostivarit raporti për një vjedhje të kryer në një objekt kishtar në regjionin e Mavrovës, dhe për një vjedhje tjetër të kryer në parkun vozitës të një firme private, me ç’rast janë grabitur 300 litra derivate të naftës nga tre automjetet e sipërmarrjes.

Për sociologët, shtrirja e grabitjeve edhe në objektet e kultit, pos arsyeve kryesore siç janë kriza ekonomike dhe sociale, flet edhe për një tendencë në rritje të krizës morale. Profesori universitar Ali Pajazi, thotë se vjedhësit tanimë kanë kaluar përtej vijës së kuqe.

“Vënia dorë mbi shenjtëritë, objektet fetare, depërtimi në hapësirat e diskrecionit të njerëzve flasin se
vjedhësit tanimë kanë kaluar përtej vijës së kuqe. Rreziku qëndron në atë që ky fenomen dalëngadalë po shndërrohet në trend, pra një grup të rinjsh dalëngadalë po fillojnë të identifikohen me aktin e jetesës ditore me gjërat e vjedhura, dhe kjo te ky grupim po shndërrohet në sjellje ordinere, pra pa u bërë syri pët, rrëfejnë për atë që kanë marrë gjatë gjahut të natës. Nëse kjo shkon duke u masovizuar, rrezikohet anija jonë kolektive”, theksoi Pajaziti.

Sipas tij, ngjarjet e fundit në vendin tonë flasin për një dukuri në rritje e sipër, për faktin që mund të kalojë deri te psikologjikja: kleptomani, pasion marramendës dhe patologjik për të vjedhur, për të hyrë edhe aty ku s’bën për të grabitur a plaçkitur.

“Shikuar në aspektin sociologjik, vjedhjet, gjegjësisht tendenca për të vënë dorë mbi mallin apo pronën e
tjetrit, qoftë ajo individuale, kolektive a publike, përbëjnë një dukuri është refleksion i një shoqërie krizologjike, i një shoqërie që përballet me lëkundje të natyrave të ndryshme, por para së gjithash të natyrës morale. Në këtë drejtim janë evidente edhe problemet e sferës ekonomike dhe sociale, pra kriza financiare dhe shoqërore, por ama faktori i drobitjes morale të individualitetit është determinant”, vijon Pajaziti.

Sipas tij, edhe papunësia mund të jetë faktor, pra njeriu që s’ka për të blerë gjërat elementare të jetesës, më në fund vendos të bëjë aktin e vjedhjes, por Pajaziti thotë se vjedhësit e sodit i vërehen që pinë kafe nëpër kafene të shtrenjta, me rroba si të të gjithë të tjerëve, madje edhe duke rrëfyer për “heorizmin banal”.

“Na mungon dhe çalon në përgjithësi procesi i eticizimit, edukimit të brezave. Vjedhje ka pasur dhe do të ketë, por ama nuk guxojmë të lejojmë që të vijmë në situatë kur s’jemi të sigurt as në rrugës, as në shkollë, as në darsëm, as në shtëpi…. Prindërit dhe shkolla, edhe mediat, ligjëratat fetare duhet të luajnë rolin e tyre socializues dhe humanizues për ta bërë të minimizuar skajshmërisht këtë dukuri negative. Grabitja e ndodhur në kishën “Shën Petri dhe Pavle’, në Gallaçnik, nuk është rasti i vetëm i grabitjeve të ndodhura në objektet fetare. Edhe gjatë vitit të kaluar, Policia njoftoi për dhjetëra vjedhje të ndodhura në objekte fetare, Kisha dhe Xhamia. Se kriza sociale thellohet çdo ditë e më tepër, flasin edhe rastet e tentimeve për vjedhje edhe nëpër varreza të vjetra.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 2 Tetor, 2019 12:12