Rritet në 23 numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi

Numri i viktimave nga tërmeti me magnitudë prej 6,5 që goditi ishujt Maluku të Indonezisë është rritur në 23, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia rajonale për menaxhim me katastrofat (BNPB) tha se më shumë se 100 persona janë lënduar.

Viktimat janë gjetur në pjesën qendrore të Malukut, në Ambon City dhe West Seram Regency.

“Pjesët që binin nga ndërtesat shkaktuan lëndime dhe vdekje”, tha në një deklaratë me shkrim Agus Wibowo, shefi i marrëdhënieve me opinionin në BNPB.

Rreth 15 mijë banorë janë zhvendosur për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga tërmeti.

Wibowo tha se agjencia ka shpërndarë ushqim dhe ujë si dhe gjëra tjera për nevojat elementare, përfshirë tenda, batanije, llamba dhe dyshekë.

“Urgjentisht nevojiten tendat, pasi në Maluku po bie shi”, tha ai, duke shtuar se fëmijët dhe adoleshentët e mbijetuar kanë nevojë për trajtim pas traumave nga tërmeti.

Tërmeti me magnitudë prej 6.8 ballë goditi provincën Maluku të Indonezisë mëngjesin e së mërkurës në orën 6:48 sipas kohës lokale.

Tërmeti shkatërroi 171 ndërtesa, dëmtoi ndjeshëm 59 ndërtesa, mesatarisht dëmtoi 45 ndërtesa ndërsa 67 të tilla u dëmtuan më pak.

Nga tërmeti u shkatërruan edhe shkollat, objektet fetare, ndërtesa të zyrave dhe ndërtesa tjera publike.