Deutsche Welle: Shenja për dialog në Shqipëri

Pas vendimit të Bundestagut për Shqipërinë, presidenti Ilir Meta e quan urgjente zgjidhjen e krizës së thellë politike. Kryeopozitari, Lulzim Basha është gati të ulet në tryezen e bisedimeve me Ramën por me kusht.

Votimi i deputetëve në Bundestag-un gjerman, në mbrëmjen e të enjtes ( 26.09.2019) në favor të Shqipërisë për hapje me BE të bisedimeve të pranimit, me 395 vota pro ndër 599 deputetët e pranishëm, është përshëndetur nga Johannes Hahn. Në një postim në median sociale, menjëherë pas votimit, Hahn e cilëson votimin „shumë të mirëpritur, rezultat të njohjes së progresit konkret, nxitje për reforma në Ballkanin Perëndimor dhe besueshmërinë e BE”, shkruajti mbrëmë në twitter Johannes Hahn, bën me dije Delegacioni i BE në Tiranë.

Meta – Politika të reflektojë, të zgjidhë krizën

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje në mbrëmjen e të enjtes forcave politike që të fillojnë “urgjentisht  punën për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta. Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare”, reagoi Meta mbrëmë në median sociale lidhur me vendimin e Bundestag-ut pro hapjes së negociatave.

Meta solli në vëmendje përpjekjet e deputetëve gjermanë në 4 muajt e protestave antiqeveritare të opozitës jashtëparlamentare pranverën e këtij viti dhe pas zgjedhjeve Lokale 2019, për të ulur në tryezën e bisedimeve qeverinë dhe opozitën jashtëparlamentare, të drejtuar nga PD, për të zgjidhur krizën e thellë politike dhe institucionale. „Po të kishin dëgjuar këshillat e tyre me kohë, sot do të kishim marrë një vendim pa kushte, njëlloj si Maqedonia e Veriut” thekson Presidenti Meta në postimin e tij.

Basha: Gati për dialog me Ramën

Kryetari i Partisë Demokratike (PD) dhe i opozitës jashtë parlamentare, Lulzim Basha, pas vendimit të mbrëmshëm të Bundestag-ut është shprehur i gatshëm të ulet në tryezën e bisedimeve me Ramën. Për rreth 8 muaj Basha e ka kushtëzuar dialogun me largimin e Ramës nga posti i kryeministrit tani vendos një tjetër kusht: dialog me praninë e ndërkombëtarëve. “Unë dhe PD jemi dakort për një proces politik të propozuar nga faktori ndërkombëtar që të japim kontributin tonë për daljen nga kriza. Pak rëndësi ka ulja në një tryezë me apo pa Edi Ramën” deklaroi të enjten në mbrëmje Basha në një kanal televiziv të Tiranës. Kushtëzimi i dialogut me praninë e faktorit ndërkombëtar tregon vijimin e mosbesimit mes palëve politike në Shqipëri, pavarësisht thirrjeve të BE për të ndryshuar dhe shndërruar në kulturë politike kompromisin dhe dialogun.

Partia tjetër opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI), aleate me PD, është për një dialog pa kushte me qeverinë për të përmbushur të “gjitha kushtet dhe detyrimet dhe hapur rrugën integrimit europian të Shqipërisë.”

Por të dyja partitë, PD dhe LSI, me peshë më të madhe në opozitën jashtë parlamentare, kanë të njëjtin qëndrim kur konsiderojnë “PO”në e kushtëzuar të Bundestag-ut pasojë të “dështimit të qeverisë dhe hapave prapa që ka bërë Shqipëria që nga 2018” .

Një qëndrim i tillë përforcohet ngaqë Maqedonia e Veriut, ndryshe nga Shqipëria, mori mbrëmë me më shumë vota një “PO” të pakushtëzuar nga partitë politike parlamentare të Gjermanisë. Kjo e bën pa pengesa rrugën e saj drejt një vendimi pozitiv të Këshillit Europian në takimin e tij në Bruksel, muajin e ardhshëm më 18 tetor, nëse kjo datë mbetet e pandryshuar.

Por gjasat janë që kjo datë edhe mund të shtyhet. Konferenca Ndërqeveritare shënon fillimin zyrtar të procesit të hapjes së negociatave të pranimit. Plotësimi i kushteve të grupi të parë, të vëna Shqipërisë nga Gjermania, para kësaj konference Ndërqeveritare kërkon kohë. Por ajo duhet të zhvillohet atëherë kur Qeveria Gjermane të shohë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe marrjen e vendimit për kryerjen e Reformës Zgjedhore në Shqipëri.

Në mënyrë të qartë dhe pa ekuivoke deputetët gjermanë kërkojnë që kjo reformë të bëhet “në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it, të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave elektorale në Shqipëri, në bazë të rezultateve të Komisionit ad hoc për reformëm zgjedhore”. Shtyrja e takimit të Këshillit Europian të 18 tetorit, mund t’i japë kohë Gjermanisë dhe vendeve të tjera anëtare të BE, pro hapjes së negociatave të pranimit për Shqipërinë, të bindin Francën dhe Hollandën për të ndryshuar skepticizimin e tyre e t’i bashkohen shumicës për një vendim pozitiv.

Top Channel