Xhaferi mbajti fjalim në konferencën e katërt të kryetarëve të Parlamenteve të vendeve euroaziatike

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 25 Shtator, 2019 12:14

Xhaferi mbajti fjalim në konferencën e katërt të kryetarëve të Parlamenteve të vendeve euroaziatike

Kemi aq shumë që të ofrojmë si vende, kemi aq shumë të mësojmë nga të tjerët, aq shumë të ndajmë. Para se gjithash, kemi potencial të madh, i cili ende nuk është shfrytëzuar as gjysma. Këtë dje e deklaroi në fjalimin e tij kryetari i Kuvendit Talat Xhaferit në Konferencën e 4-t të kryetarëve të parlamenteve të vendeve të Euroazisë në temën “Euroazia më e madhe: Dialog. Besim. Partneritet”

Siç njoftoi pres-shërbimi qeveritar, qëllimi kryesor i këtij forumi është të vendoset dialog i drejtpërdrejtë multilateral, ndërsa në margjinat gjithsesi edhe dialog bilateral ndërmjet kryetarëve të trupave ligjvënës të Evropës dhe Azisë, si edhe liderëve të organizatave ndërkombëtare dhe interparlamentare për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në këtë hapësirë.

Xhaferi, në fjalimin e tij ka porositur se nevojitet zbulim dhe vendosje e urave të reja, të fuqishme të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të dy kontinenteve dhe më gjerë, gjegjësisht, bashkëpunim intensiv ekonomik dhe këmbim tregtar, me qëllim të sigurimit të zhvillimit të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë rajonet njëlloj.

“Vijmë nga shtete të ndryshme, me rregullime të ndryshme shtetërore, me marrëdhënie të ndryshme bilaterale dhe multilaterale ndërmjet nesh, respektivisht korniza ligjore marrëveshjesh të cilat jo gjithmonë janë të vendosura me reciprocitet, ose po nuk janë vendosur aspak. Ato marrëdhënie të pabarabarta, prodhojnë edhe zhvillim të pabarabartë të rajoneve. Përgjegjësia jonë si ligjvënës, është të gjejmë dhe të mundësojmë mënyra për mbrojtjen e interesave të ndërsjella të shteteve tona, dhe të gjemë moduse për zhvillimin e lirë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve, për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, për bashkëpunimin shkencor, kulturor, arsimor, mjekësor, turistik dhe çdo bashkëpunimi tjetër ndërmjet vendeve”, theksoi Xhaferi.

Që të mundësohet kjo, nevojitet ndërlidhje me infrastrukturë rrugore, hekurudhore, ajrore dhe infrastrukturë tjetër, megjithatë, para së gjithash nevojitet dialog, i drejtpërdrejtë, i hapur, pa doreza.

“Kemi aq shumë të ofrojmë si vende, kemi aq shumë të mësojmë prej njëri tjetrit, aq shumë të ndajmë bashkë. Para së gjithash, kemi potencial aq të madh i cili akoma nuk është shfrytëzuar as gjysma. Në anën tjetër, globalizimi, përskaj përparësive të mëdha, sjell me vete edhe kanosje të sofistikuara kundër të cilave vetëm përgjigja e përbashkët, e koordinuar mund të jetë e suksesshme. Prandaj, të ndërtojmë ura besimi, të vendosim marrëdhënie të sinqerta dhe të partneritetit, për një botë më të mirë, të zhvilluar njësoj dhe para së gjithash, një botë e sigurt për të gjithë ne, për fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme”, potencoi Xhaferi në fjalimin e tij.

Në konferencë pritet miratim i Deklaratës së përbashkët të kryetarëve të Parlamenteve në drejtim të zhvillimit të mëtutjeshëm të kontinentit të Euroazisë drejt ardhmërisë së përbashkët.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 25 Shtator, 2019 12:14