Shteti u shpall “luftë” lajmeve të rrejshme

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 19 Shtator, 2019 16:43

Shteti u shpall “luftë” lajmeve të rrejshme

Lajmet e rrejshme janë një dukuri në përhapje e sipër jo vetëm në vend, por edhe në arenën globale. Të alarmuar nga kërcënimet që mund të sjell kjo dukuri, krerët më të lartë shtetëror janë mobilizuar në një luftë të përbashkët kundër lajmeve të rrejshme.

Kryeministri I vendit, Zoran Zaev gjatë mbledhjes së parë konsultative të grupës aksionale për koordinimin e institucioneve për luftë kundër dezinformatave dhe sulmeve të demokracisë, tha se edhe vendi nuk është larg kërcënimeve që vijnë nga kjo dukuri, me të cilat veç më po përballen një pjesë e vendeve të botës. Sipas tij, vendi jonë në shumë raste është ballafaquar me përhapjen masive të lajmeve të rrejshme, duke përmendur Marrëveshjes së Prespës, si një ngjarje për të cilën janë publikuar shumë dezinformata në vazhdimësi.

Zoran Zaev, Kryeminstër  

“Liria e shprehjes është e drejtë e garantuar njerëzore, por keqpërdorimi i asaj të drejte në formë të dezinformimit apo propagandës manipulative shumë lehtë reflektohet ndaj sigurisë dhe stabilitëtit të përgjithshëm dhe nuk është aspak liri e shprehjes. Në një vend demokratik, transparenca aktive është armiku më i fuqishëm i lajmeve të rrejshme dhe dezinformatave. Si përgjigje e këtyre kërcënimeve kibernetike dhe në pajtueshëmri me parimet për llogaridhënie dhe transparencë Qeveria ka inicuar përgatitjen e propozim planit aksional për luftë kundër dezinformatave dhe sulmeve ndaj demorkacisë”.

Për presidentin, Stevo Pendarovski, ballafaqimi me dezinformatat janë investim për zhvillim të shoqërisë së qytetarëve të lirë, që është edhe qëllimi i vendit. Ai ka vlerësuar se për t’u ballafaquar me lajmet e rrejshme, nevojitet bashkëpunim dhe përfshirje më e gjërë e institucioneve.

Stevo Pendarovski, President i MV

“Lajmet e rrejshme, ngadalë por sigurt, po bëhen një ndër kërcënimet prioritare të sigurisë nacionale të shumë shteteve, për shkak të kapacitetit të tyre për ta shtrembëruar të vërtetën dhe për të fundosur vlerat demokratike si sistem politik. Ballafaqimi me fushat për dezinformim dhe lajme të rrejshme nuk do të ndodh brenda natës dhe vetëm me përparimin e planit aksional dhe formimin e grupit punues, ai është proces që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet shtetërore, mediat, sektori civil, si dhe sistemi i arsimit, me qëllim që bashkërisht të kontribuojmë për ndryshime drejt përmirësimit”.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se mbledhja e sotme është hapi i parë por i domosdoshëm në luftën kundër lajmeve të rrejshme. Sipas tij, kjo është një shenjë se dezinformatat na prekin si shtet dhe se kjo dukuri shumë negative, siç është shprehur ai, është marrë seriozisht.

Talat Xhaferi, Kryeparlamentar  

“Jetojmë në botë bashkëkohore, botën e globalizimit, botën e teknologjisë bashkëkohore e cila ndryshon dhe përsoset çdo ditë e më shumë dhe kufijtë, dikur të pamundur, zhvendosen gjithnjë e më shumë. E gjithë kjo gëzon edhe tremb, sepse kjo do të thotë se edhe informacionet përhapen me shpejtësi të paparamenduar. Mirëpo, jo vetëm ato, por edhe dezinformacionet, të cilat përhapen me qëllime të caktuara, gjithsesi jo të mira. Vëllimi dhe shpejtësia me të cilat përhapen, nuk mund as të korigjohen as të kthehen prapa”.

Në grupin aksional që do të punojnë për luftë kundër dezinformatave dhe sulmeve të demokracisë, bën pjesë Qeveria, Kuvendi, kabineti I presidentit, ministritë e Mbrojtjes, e Brendshme, e Jashtme, Administratës, Arsimit si dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, Agjencia për Zbulim dhe Agjencia teknike operative.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 19 Shtator, 2019 16:43