Gostivari Sot

mos humbisni asnjë lajm

Sa para morën komunat dhe si do t’i shpenzojnë?

Drejtori i Agjencisë së pagesave, Nikollçe Bobevski për TV21 shpjegon se ndarja e mjeteve nga Qendra për zhvillim rural është bërë sipas vlerësimeve se ku është më e nevojshme që të jepet ndihmë shtetërore. Para kanë fituar ato komuna që paraprakisht kanë paguar TVSH-në për projektet e mëparshme, ndërsa kontrollin për shpenzimin e parave e kryen agjencia.

“Komuna nënshkruan marrëveshje, e zgjedh operatorin ekonomik, hyn në investimin, pas mbarimit të investimit, komuna e mbledh dokumentacionin e plotë, e dorëzon në agjenci, e paguan TVSH-në e mjeteve, për shkak se obligimi i vetëm i mjeteve grant është pagesa e TVSH-së. Më pas Agjencia kryen kontrolle në vendin, pasi që edhe ky proces të mbarojë, vijon pagesa e mjeteve në llogaritë e komunave”, deklaroi Nikollçe Bobevski, drejtor i Agjencisë për Pagesë.

I kontaktuam edhe një pjesë të kryetarëve të komunave që të na përgjigjen se a është objektive ndarja e mjeteve, sa mjete kanë fituar dhe për çfarë do t’i shpenzojnë! Ata njëzëri vlerësojnë se pa këto mjete, vështirë se do të realizonin projektet, me të cilat kanë aplikuar, ndërsa TVSH-ja nuk do të paraqesë problem për ta paguar.

“Kemi fituar projekt për mbarimin e aksit rrugor Crniçani-Dojran, i cili ishte shumë problematik në 5-10 vitet e fundit. Kështu që, tani po e përfundojmë atë rrugë që ka rëndësi vitale për trafikun jo vetëm në Komunën e Dojranit por edhe në të gjithë vendbanimet tjera”, deklaroi Ango Angov, kryetar i Komunës së Dojranit.

Pyetjes se sa mjete dhe për çfarë rrugësh kanë fituar, kryetarët e komunave na u përgjigjën:

“100 mijë euro për rrugë prej 1 kilometër”, potencoi kryetari i Komunës së Dojranit, Ango Angov.

Nga Qendra për zhvillim rural, në Komunën e Dellçevës kemi fituar 25 milionë denarë për infrastrukturë rrugore me gjatësi prej 2 kilometrave. Komunës së Dellçevës i janë miratuar dy projekte në lartësi prej 25 milion denarëve pa TVSH, ndërsa projektet janë për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në lagjen Basarica dhe kanalizimin në verë”, tha Goran Trajkovski, kryetar i Komunës së Dellçevës.

Pikërisht në këtë komunë popullata në mënyrë masive po largohet, andaj e pyetëm kryetarin e komunës se a ishte më e nevojshme që të investohet në infrastrukturë!

“Nga lagja Basarica, për të cilën është njëri projekt, nuk kemi shpërngulje”, theksoi kryetari i Komunës së Dellçevës.

“Komuna e Vallandovës ka fituar tre projekte, dy janë me rëndësi kapitale, me të cilat do të zgjidhim shumë probleme me të cilat përballej popullata lokale. Vlera e njërit projekt është 15 milion denarë, ndërsa tjetri është 20 milion denarë. Bëhet fjalë për rrugë dhe rrugica lokale. Njëri projekt është me gjatësi prej 1.4 kilometrave”, u shpreh Pero Kostadinovski, kryetar i Komunës së Vallandovës.

Nga Ministria e Bujqësisë na u përgjigjën se kriteret për ndarjen e mjeteve janë caktuar me Programin vjetor për mbështetje financiare për zhvillim rural, Ligjin për bujqësi dhe rregulloren për kushte shtesë për mbështetje nga masat për zhvillim rural, shpenzimet e pranueshme dhe lartësia e mbështetjes për shpenzimet e pranueshme sipas përdoruesit të masës individuale. Kërkuesit që i plotësojnë kushtet rangohen sipas pikëve të caktuara me Rregulloren për kritere më të afërta për zgjedhjen e përdoruesve sipas masave për zhvillim rural.

TË FUNDIT