Funksionimi i Teatrit të Gostivarit dhe premiera e “Nathanit të Urtë”, në rrugë qorre

E paqartë mbetet situata se kur do të hidhet në skenë shfaqja historike e institucionit të sapoformuar “Teatri i Gostivarit”, “Nathani i urtë”, sepse megjithëse trupa teatrore duhej të takoheshe më 20 gusht, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nga ana tjetër, ndryshime ka pasur edhe në postin e ushtruesit të detyrës, të cilët vënë në dyshim se nëse do të vazhdohet me të njëjtën shfaqje, e ndërkaq nga Ministria e Kulturës premtuan për në fillim të vitit 2020, transmeton Portalb.

Ndryshimi i ushtruesve të drejtorëve ka ardhur se, Berat Saliu ka dhënë dorëheqje, e në vend të tij është emëruar, Visar Vishka, për shkak të mosrealizimit të punësimeve dhe obstruksioneve. Obstruksionet Saliu i cilësoi si politike.

“Berat Saliu, ushtrues detyre i drejtorit të Institucionit Nacional “Teatri i Gostivarit” ka dhënë dorëheqje. Nga arsye për shkak se ky institucion nuk ka të punësuar, kurse në pajtim me dispozitat e Ligjit për kulturë dhe Ligjit për institucione, për ushtrues të detyrës së drejtorit të institucionit “Teatri i Gostivarit”, nga ana e artistëve është emëruar aktori, Visar Vishka”, thanë nga Ministria e Kulturës. 

Saliu: Deri tash është realizuar plani i sistematizimit dhe i punësimit

Duke folur për procedurat të cilat i ka zhvilluar derisa ka qenë ushtrues detyre, Saliu deklaroi se ka përfunduar plani i Sistematizimit dhe te Ministria e Financave ka dorëzuar edhe planin e punësimeve për vitin 2019 dhe 2020.

“Po jam larguar unë. Jo nuk ka ardhur se janë bërë gjashtë muaj nga emërimi im, ka edhe një muaj, por për shkak se shfaqja nuk fillonte. Në Ministrinë e Financave kam arritur të dorëzoj planin e punësimit për vitin 2019, dhe 2020. Me sistematizimin, në fillim na kanë kaluar 50 vende të punës”, tha Saliu.

I pyetur se çfarë ndodhi me shfaqjen së u paralajmërua se do të hidhet në skenë në muajin maj-qershor, Saliu nuk dha shpresa se një gjë e tillë pritet të ndodhi së shpejti.

“Po shfaqja u paralajmërua për në maj-qershor, por një aktor u tërhoq, pastaj atë e zëvendësuam. Kishim më 20 gusht të fillonim me prova, trupa nuk erdhi, dhe u bllokua. Pati shumë obstruksione, gjëra pa kuptim. Shumë politikë. Nuk arrinin të merreshin vesh. Mendoj se me qëllim e kanë bërë”, tha Saliu.

Vishka: “Nathanit të Urtë” në skenë, pasi t’i shohë të gjitha gjërat

Nga ana tjetër, ushtruesi i ri i drejtorit, Visar Vishka thotë se, ende nuk ka marrë vendimin final nga Ministria e Financave, që të mund të flasë për hapat që do të ndërmerren nga ai dhe për atë se kur do të shfaqet premiera e “Nathanit të Urtë”..

“Ende nuk ja kanë filluar. Pres vendimin ka ministresh e re e Financave. Shpresoj se kjo do të ndodh javën e ardhshme.  Pres vendimin për nënshkrimin dhe gjëra të tjera. Sendin e parë që do ta bëj, janë punësimet, sepse ajo u vonua shumë. Se pa punësime nuk mund të bëhet asgjë. Pas kësaj do të hapen konkurset. Pres vendimin e ministrisë, dhe më pas ti marr punët në duar”, tha Vishka.

Portalb: Po pa u bërë punësimet, a nuk mund të jepet shfaqja?

Visar Vishka: Shfaqja,… do të shohim menjëherë pas asaj se, … sepse Pallati i Kulturës duhet të fillojë me renovimin. Dhe duhet të ulem me drejtorin e Pallatit të Kulturës, për të parë se, kur do të fillojë renovimi. Nga ajo varemi tash.

Portalb: Ju keni qenë edhe pjesë e trupës së shfaqjes themeluese, a do të vazhdojë ajo trupë teatrore?

Visar Vishka: Normal se po. Kontratat e vjetra vlejnë ende. Nëse vazhdon ajo shfaqje, normal se po do të vazhdojmë me atë trupë. Për momentin asgjë nuk di, pa mos u ulur t’i shohë krejt gjërat, nuk mund të flas asgjë.

Portalb ka kontaktuar edhe regjisorin e shfaqjes “Nathani i urtë”, Sulejman Rushitin. Siç deklaroi, është jashtë vendit dhe nuk ishte në gjendje të japë deklaratë për këtë rast.
Ndryshe nga parafolësit, nga Ministria e Kulturës dhanë një afat të vonuar në datë, por rekord në realizim praktik për një shfaqje, të funksionalizimit të “Teatrit të Gostivarit”, duke parë natyrën e rrjedhjes së aktiviteteve deri tash. 

“Me emërimin e ushtruesit të drejtorit, presim fuqishëm të vazhdohet me aktivitet, dhe në afat real, me fillimin e vitit të ri, të realizohet edhe premiera e parë e institucionit”, thanë nga Ministria e Kulturës.

Në kuadër Programit vjetor të Ministrisë së Kulturës, “Teatrit të Gostivarit” iu ndanë mjete për realizim të tre projekteve kulturore, të cilat do të vazhdojnë pas mbarimit të të gjitha procedurave administrative.

Teatrit të Gostivarit dhe premiera e “Nathanit të Urtë”, në rrugë qorre