BE-ja angazhohet për t’iu konkurruar investimeve kineze në Ballkan

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 9 Shtator, 2019 21:49

BE-ja angazhohet për t’iu konkurruar investimeve kineze në Ballkan

Bashkimi Evropian (BE) planifikon të intensifikojë dialogun me vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të shpjegojë përfitimet që mund të kenë këto vende përmes financimit të projekteve të infrastrukturës nga ana e BE-së.

Bashkimi Evropian planifikon të u kërkojë autoriteteve të këtyre vendeve t’i kushtojnë vëmendje të veçantë përkushtimit të partnerëve që e ndihmojnë rajonin të përmbushë standardet e BE-së.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq.

Ajo thotë se financimi i Bashkimit Evropian në infrastrukturë përfshin grante, të cilat janë të kombinuara me kredi me interes të leverdishëm.

“Kjo është në kontrast me financimin kinez, i cili vjen pothuajse ekskluzivisht në formën e kredive me mbështetje të konsiderueshme financiare. Prandaj, qeveritë duhet të jenë të kujdesshme që këto investime të mos e vendosin ekonominë e tyre në nivele të larta borxhi, gjë që mund të rezultojë në kontrollin e transferimeve të dhe burimeve strategjike në të ardhmen”, paralajmëroi zëdhënësja Kocijançiq.

Ajo ritheksoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se një pjesë e këtij procesi përfshin gjithashtu edhe nevojën e modernizimit të infrastrukturës në këto vende.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 9 Shtator, 2019 21:49