Shkolla në Mojancë pa kushte elementare, nxënësit bojkotojnë

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 8 Shtator, 2019 17:14

Shkolla në Mojancë pa kushte elementare, nxënësit bojkotojnë

Zyrija është klasa e tretë, ndërsa Hyrija klasa e parë. Ka disa ditë që ato dhe nxënësit tjerë që vijnë deri te oborri i shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në fshatin Mojancë të Komunës së Haraçinës, por nuk hynë në klasë. Prindërit e tyre kanë vendosur që fëmijët e tyre ta bojkotojnë mësimin. Klasat janë të zbrazëta, ndërsa arsimtari i shkollës çdo ditë vjen me shpresë se nxënësit do të rikthehen në klasa dhe do të vazhdohet me procesin mësimor.

“Çdo ditë kur vi në punë këto çikat më pyesin axho a do të hapet sot shkolla. Fëmijët janë shumë të aftë dhe kanë dëshirë por ballafaqohen me probleme. S’kemi kurrfarë kushte”. Kjo është ardhmëria jonë, fëmijët janë ardhmëria e njerëzve”, tha Rufki Selimi.

Mësimi në klasa zhvillohet me paralele të kombinuara. Klasa e tretë dhe e pesta mësojnë bashkë ndërsa klasa e dytë me të katërtën bashkë. Arsimtari Nesmir Sulejmani thotë se është vështirë që në një klasë të ligjërohet kur klasat janë të kombinuara e për këtë nxënësit nuk kanë sukses.

“Unë si arsimtar punoj me 21 nxënës në kombinim me klasën e tretë dhe klasën e pestë. Kolegeja ka klasën e dytë dhe të katërtën me 17 nxënës. Është një ngarkesë shumë e madhe për neve arsimtarëve por edhe për nxënësit per shkak të zhvillimit procesit edukativo-arsimor. Është e pamundur që të ketë sukses për atë arsye prindërit janë të paknaqur sepse ato presin rezultat prej fëmijëve të tyre por edhe ne presim rezultat por shumë e vështirë”, deklaroi arsimtari, Nesmir Sulejmani.

Oborri  i shkollës nuk është i rrethuar. Aty kullosin kopetë, andaj papastërtia që bëhet aty, nuk ka kush ta pastrojë.

“Nuk është e rrethuar ujë nuk ka, kurrnifar kushte nuk ka. Shihni jashtqitje ka. Ka qenë, lopë, kuaj. Fëmiju i klasës së parë është  i vogël mund ta shkelin fëmijun. Qeni mund ta hajë. Ku të kërkojmë përgjigje, kujt ti qahemi ne? Askujt s’i intereson për neve”, pohoi banori, Nari Sherifi.

Drejtori i shkollës Azam Haki thotë se po presin Ministria e arsimit të aprovojë kërkesën për hapjen e paraleleve të reja. Komuna e Haraçinës thotë se më 24 janar 2019 deri në MASh kanë kërkuar  për angazhimin dhe financimin e mësueseve shtesë, por nuk ka ende ndonjë përgjigje.

“Ne kemi bo kërkesën deri te Komuna. Komuna ka bërë kërkesë në ministrinë e arsimit. Ende po presim përgjigje prej ministrisë së arsimit. E dimë se ka problem atje. Kemi bërë kërkesë edhe në prill edhe më 1 gusht, tash po presim”, deklaroi drejtori, Azam Haki.

Ministri i arsimit Arbër Ademi dje premtoi se edhe ky problem do të zgjidhet.

“Nëse kërkesa është e bazuar sigurisht do të përgjigjemi pozitivisht”, deklaroi ministri Ademi.

“Dëshira ime është që të shkoj në shkollë”. Kjo është dëshira e vetme e Hyrijes. E përderisa ministria po e shqyrton mundësinë për hapjen e paraleleve, 50 fëmijët gati një javë po humbasin ndjekjen e procesit mësimor.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 8 Shtator, 2019 17:14