Nuk mori ftesë në inaugurimin e shkollës, Besian Mehmeti, arkitekti i shkollës më bashkëkohore në vend

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 8 Shtator, 2019 17:26

Nuk mori ftesë në inaugurimin e shkollës, Besian Mehmeti, arkitekti i shkollës më bashkëkohore në vend

Besian Mehmeti është arkitekti i cili 10 vite merret me këtë profesion. Ai është autor i konstruksionit të shkollës fillore “Kiro Gligorov” në Komunën Qendër. Thotë se nuk është ftuar zyrtarisht nga Komuna Qendër që të marrë pjesë në hapjen e shkollës. Siç pohon, është informuar jozyrtarisht.

Megjithatë Mehmeti thotë se me kënaqësi ka punuar në këtë projekt por ka pritur më shumë konsultim nga komuna.

“Fillimisht ky objekt duhet të jetë funksional, nga ana tjetër duhet të jetë racional në harxhimin e resurseve. Por sidoqoftë, ajo që besoj që edhe komisionit i ka bërë përshtypje ka qenë aspekti inovativ dhe kreativ i përdorimit të organizimit funksional dhe zgjidhjes konceptuale”, tha Besian Mehmeti, për Tv21.

Kryetari i Komunës Qendër, Sasha Bogdanoviq, thotë se ka biseduar në ditën e promovimit me arkitektin Mehmeti. Pohon se shërbimet komunale e kanë ftuar atë. Bogdanoviq shton se gjatë inaugurimit nuk është përmendur në mënyrë të veçantë, por falënderimi ka qenë për të gjithë.

Nga ana tjetër, Kire Sekullovski, i cili është menaxher i projektit të shkollës, thotë se objekti përfshin hapësirë prej 12.100 metrave katror, ndërsa oborri është 4.100 metra katror.

“Bëhet fjalë për shkollë me efikasitet energjetik, me dysheme anti-bakteriale, me nxehje ku nuk do të ketë askund radiatorë. E gjithë shkolla ka nxehje në dysheme. Bile edhe kjo pjesa ku qëndrojmë tani, në kopshtin botanik, është e izoluar me nxehje në dysheme që gjatë dimrit të nxehet. Janë vendosur tabela që në panairin në Londër janë shpallur si tabelat më të mira interaktive për mësimin e fëmijëve”, tha Kire Sekullovski.

 Shkolla ka filluar të ndërtohet në vitin 2016, ndërsa realizimi i projektit ka kushtuar 5.5 milion euro. Ka 21 klasa, me rregullim akustik në hapësirë, shtatë kabinete të specializuara për mësimet praktike, sallë  për gjimnastikë, sallë sporti, kopsht botanik, kuzhinë, kabinet për mësuesit dhe zyra për personelin, si dhe Qendër ditore për fëmijët me paralizë cerebrale.

Gostivari Sot
By Gostivari Sot 8 Shtator, 2019 17:26