Në Gostivar është vendosur skulpturë me emrin e qytetit

Në hyrje parkut, në afërsi të Gjykatës në Gostivar, është vendosur një skulpturë me emrin e qytetit. Janë vendosur 7 shkronja dhe një zemër, të gjitha të punuara nga betoni, shkruan Portalb. 

Simboli i ri dhe modern sipas dimensioneve është monumental, pasi që çdo shkronjë është e lartë dy metra. Vendosja është me iniciativë të Shoqatës për Art dhe Kulturë “Silindart”, ndërkaq autor është Burhan Ahmeti, artist nga Gostivari.

“Gostivari, për fat të keq, nuk ka shumë objekte të trashëgimisë kulturore, ndërkaq ato që janë, dobët janë të dukshme ose janë në gjendje të keqe. Për këtë, vizituesit nuk munden t’i fotografojnë ose t’i vendosin në albumet e tyre fotografike. Në këtë kohë çdokush dëshiron të sjellë diçka nga ndonjë vend. Të rinjtë, dëshirojnë diçka më atraktive dhe moderne dhe vlerësova se me këtë objekt do t’u japim që mundësi më shumë që të fotografohen dhe të mbajnë kujtime nga Gostivari”, tha Ahmeti.

Forma do të jetë e përhershme, por dukja e skulpturës do të ndërrohet, varësisht prej rasteve. Sipas Ahmetit, në shkronjat do të shkruhen porosi artistike gjatë shënimit të ndonjë feste ku do të përfshihen fëmijët.

Së shpejti objekti do të bëhet me drita dhe do të jetë më atraktiv, veçanërisht për orët e mbrëmjes.

Skulptura me emrin e Gostivarit është realizuar me ndihmën e Komunës së Gostivarit dhe kompanitë Im Beton dhe Celi Trans.