“Bomba” e radhës rreth rastit “Reket” do të prek edhe kryeministrin Zaev ?!

Gazetari italian, Laris Gajser, i cili publikoi përgjimet për rastin “Zhvatja” në gazetën “La Verita”, edhe pse ishte e paralajmëruar për sot, nuk publikoi “bombë”, tjetër rreth rastit, shkruan Flaka. 

Nga burime të veta Flaka mëson që “bomba” e radhës që do të “shpërthen” ditëve në vijim do të prek drejtpërdrejt kryeministrin Zaev. Mësohet se bëhet fjalë për një bisedë mes Boki 13 dhe bashkëshortit të një zyrtarje të lartë në LSDM rreth rastit “Reket” të biznismenenit Orce Kamçev.

Ky informacion që nuk është zyrtar, po bëhet i besueshëm edhe nga paralajmërimi i gazetarit italian.

“Pas kësaj, jam i sigurt se Zaevi është në fund të karrierës së tij dhe se është çështje kohe që Kuvendi dhe Presidenti të këndellen se do të jetë më mirë që të shkarkohet Zaevi, që të keni një përfaqësues ndërkombëtar më funksional, sepse për momentin Zaevi paraqet problem dhe se nuk mund ta prezantojë Maqedoninë e Veriut. Opsionet janë 1) ose krizë qeveritare me zgjedhje – edhe pse Pendarovski nuk e sheh këtë si opsion të mundshëm pa pasur më parë regjistrim të popullatës – ose (ky është sugjerimi im) të ketë një qeveri kalimtare Ad-Interim, me kusht që të ndryshohet vetëm kryeministri”, shkruan gazetari italian Gajser në analizën e tij gati 20-minutëshe në radion “Capodistria”.

Gajser paralajmëroi zhvillime të forta në vendin tonë. Ai shprehet se kryeministri Zoran Zaev është në fund të karrierës së tij dhe se ai nuk është i denjë të përfaqësojë Maqedoninë në Aleancën Atlantike, NATO.