/Politika dhe BFI, qorrim hesapesh ndër tabore

Politika dhe BFI, qorrim hesapesh ndër tabore

Politika dhe BFI, vazhdon të mbetet patate e nxehtë mes aktorëve në të  dyja taboret. Së fundmi, “raketën” nga foltorja e Parlamentit e hodhi lideri dhe ish deputeti i RDK-së, Vesel Memedi, shkruan Agjencia e Lajmeve FLAKA.  

Ky i fundit llogarit që politika ka ndikim vendimarrës në tempullin fetar të pjesëtarëve të Islamit në RMV. Madje, ai drejton gishtin tek pokitikë të caktuar.

Memedi mendon që opinioni dhe posaçërisht njerëzit e ndershëm, u bindën nëpërmes ndodhive të fundit në vend. z. Ahmeti, pjestarët e Islamit në tërrësi, e posaçërisht ata që ju kanë besuar dhe kanë prit 13 vite që ti rregulloni punët në BFI, mbetën të shokuar nga bisedat e juaja private me bashkëpuntorët e juaj më të afërt, për sjelljen poshtërruese që e keni ndaj institucionit shpirtërorë – BFI.

“Aspak nuk ju ka interesuar rregullimi i punëve në këtë institucion, por qeshni ëmbël, që keni arritur sukses ta shndërroni këtë seli në një seli ku pihet alkooli më i shtrenjtë. Më shumë se kaq nuk kemi koment. Vetëm se i lutemi Zotit, që mos të ndodh e njëjta gjë edhe me ushtarët e vërtetë, që besonin në komandantit e tyre, dhe ishin të gatshëm ta japin edhe jetën e tyre për fjalën tuaj të thënë”, shprehet mes të tjerash Memedi.

“Vesel Memedi e ka gabuar adresën”, është reagimi nga BFI.

“Jemi të shtrënguar të reagojmë lidhur me sqarimin që, tashmë, ish-deputeti Vesel Memedi e bëri në Kuvendin e RMV me datë 9.07.2019 me rastin e dorëheqjes së vet nga detyra e të zgjedhurit të popullit, me ç’rast ai pa asnjë arsye konkrete, reale e objektive, e involvoi institucionin e Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përshkrimin e problemeve që ai dhe partia e tij e vogël, siç e quajti edhe vetë, i paskan pasur me partnerët e tyre të koalicionit”, shprehen nga BFI.

Sipas BDI,  Krye së pari, për të hequr paqartësitë dhe hutinë që mund të shkaktojnë fjalët e një deputeti në largim, po themi dhe fuqishëm qëndrojmë pas deklaratës sonë, se me ardhjen në krye të BFI-së të Reis’ul-Ulema Haxhi Sulejman ef. Rexhepi, pra periudha prej vitit 2006, e karakterizon BFI si institucion që ka bërë çmos që të largojë ndikimin dhe përzierjen e politikës në punët e fesë, njëherësh edhe ndalimin e dhunës dhe të kërcënimeve të llojeve të ndryshme – përfshi dhe “vizitorët e natës”, të cilët me vizitat e tyre kërcënonin me jetë funksionarët e BFI-së.

“Ju përkujtojmë, siç thoni, “takimi i pajtimit” në selinë e BDI-së, të mbajtur më 25-26 maj 2005 (e jo 2006, siç potenconi nga foltorja e Kuvendit!), ishte iniciuar nga Hafëz Arif ef. Emini dhe këshilltarët e tij, pasi që e kishin stërmbushur BFI-në me elementë dhune dhe lloje të ndryshme të kërcënimeve që iu drejtonin nëpunësve të BFI-së nga njerëz ekstremë, radikalë, në të cilën periudhë ju, Vesel Memedi – medresant dhe profesor i Medresesë ku ishit, pse kurrë nuk e ngritët zërin në mbrojtje të BFI-së dhe, siç thoni, “grupeve të imamëve”, në fakt, të cilat kurrë nuk kanë ekzistuar si të tilla, ku ishit kur sulmohej Kuvendi i BFI-së nga grupe të armatosura, a thua krahas verbërisë edhe aq shumë jeni të kapluar nga amnezia dhe me përrallat e atyre që i quani “funksionarë” të BFI-së jeni futur në ëndrrat e të dehurve në mes të ditës, e të cilët funksionarë për më shumë se një dekadë BFI në mënyrë institucionale i ka hedhur nga organizmi i saj i brendshëm”, vijon kumtesa nga BFI.

Nga atje janë shprehur që: Duke marrë parasysh pozitën kushtetuese-juridike të BFI së RMV, organizimin dhe hierarkinë e saj institucionale, kuptohet, nuk e eliminon bashkëpunimin e natyrshëm me të gjitha partitë politike të vendit, të pozitës dhe të opozitës, si edhe me pushtetin lokal dhe atë qendror – gjithnjë për të mirën e pjesëtarëve të Islamit dhe të mbarëvajtjes së jetës fetare islame, punë këto për të cilët BFI, në fakt, ekziston.

“Ky bashkëpunim dëshmohet nga takimet, vizitat, bashkëveprimet e shumta për çështje me interes fetar e kombëtar, dëshmohet me dyert e hapura ër çdo subjekt politik shqiptar e joshqiptar, dëshmohet me vullnetin tonë për të lëvizur përpara ide dhe procese. Dhe, gjithmonë për këto gjëra ka mjaftuar vetëm vullneti i mirë, të cilin z. Vesel Memedi, mjerisht, asnjëherë nuk e ka treguar, ani pse medresant dhe njeri me “edukatë fetare”. Me këtë rast, shprehim keqardhje që ish-deputeti Vesel Memedi, i cili me asgjë nuk tregoi gjatë veprimit të vet brenda dhe jashtë Kuvendit të RMV ndonjë fije solidariteti lidhur me incidentet dhe sulmet ndaj BFI që ndodhën, përpara disa vjetësh (2015) dhe u përsëritën përpara disa muajsh, në fjalën e vet sqaruese përpara deputetëve pjesën më të madhe të fjalës së vet ia kushtoi do farë problemeve fiktive me të cilat kinse po u ballafaquaka institucioni i vetëm fetar islam në vend”, deklarojnë nga BFI.

Partia e z. Memedi, sipas BFI, ishte subjekti i vetëm politik shqiptar që nuk reagoi në situatat e pashembullta të sulmeve direkte mbi Bashkësinë Fetare Islame që drejtoheshin nga qendra ekstreme e destabilizuese për jetën e organizuar fetare islame.

“Është për të ardhur keq kur një njeri i cili ka kryer medresenë, në mënyrë aq të paskrupullt akuzon BFI-në si “vend në të cilin pihet alkooli më i shtrenjtë”, ani pse jemi të sigurt që edhe vetë është i sigurt se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, vallë mos i ka mbetur “ udhëheqësi i tij shpirtëror”, ish-funksionari i qelbur, pa “lëng luleshtrydhe si ai i Norvegjisë”, apo mos, vallë, pa portofol të ministrit, Vesel Memedi nuk mund të njëjtit më tutje t’ia sigurojë nga xhepi. Ai po ashtu është i vetëdijshëm se spekulimet për “udbashët” që bëhen kuloareve, shumë moti kanë zënë vendin e merituar në plehun e thashethemeve dhe, kur janë të pabazuara dhe të pafaktuara, vlerën e kanë sa një hiç i madh. Është e turpshme të pretendosh se “lufta kundër mbeturinave të UDB-së do të fillojë nga BFI”, pra aty ku ato nuk ekzistojnë! Por, z. Memedi e di mirë këtë gjë, siç e di që sulmin e fundit mbi BFI e realizuan njerëz të afërt të tij, të drejtuar pikërisht nga segmente të caktuara të shërbimeve sekrete, të cilat ka kohë që nuk quhen më UDBA, por që s’mund të mohojmë trashëgiminë e veprimeve të saj. Veprimin dhe fjalët e z. Memedi në këtë drejtim populli i ka përmbledhur në thënien – “po të them, sa s’më ke thënë”! Do të ishte e drejtë”, përfundon kumtesa nga BFI që arriti në redaksi të FLAKA-s.

Por, sipas Veselit, lufta për demokraci dhe manipulim te shqiptarët në Maqedoni, kundrejt planit të UDB-ës së vjetër, pa kurfar dyshimi, fillon nga selia e institucionit fetar BFI.

“Prej sot e tutje, të gjith ju mund të vazhdoni në realizimin e planeve tuaja për demokraci ose për manipulim, me vet faktin se të gjith ju që ishit kundërshtarë të gjakosur politik në gjith periudhën e kaluar, tani jeni të gjith sëbashku në qeveri, LSDM, BDI, PDSH, Alternativa, një periudhë edhe LR-PDSH, etj. Kombinim më të mirë se kjo nuk mund të gjeni askund, dhe për këtë arsye vazhdoni lirisht, por jo me ne, dhe jo në emër tonë! Faktet dhe argumentet tjera, siqë është rasti i Kondovës, si dhe lojërat e juaja politike me BFI-në dhe me grupet kriminale, nuk do ti numëroj të gjitha, sepse ka një proverb arabe që thotë, “Për të mençurin, mjafton vetëm shenja.” Nëse dikushi nuk i njeh shenjat, mjafton me ia hap rrugën që të arrij atje ku përfundoi pushteti i kaluar, por populli duhet të përgaditet për masakrën e re, që do ta bëjë kjo qeveri e re, ndaj buxhetit të shtetit, ndaj sistemit të drejtësisë, administratës, dhe ndaj integritetit moral të vërtetë të qytetarëve. Për fat të keq, përshkak të kësaj, në vend që të përfundojnë me bekim “një shoqëri për të gjithë,” qytetarët do të përfundojnë në “një kazan të ferrit të madh për të gjith.”, tha Memedi në fjalimin e tij të fundit si deputet në këtë përbërje parlamentare. FLAKA