/Tre portierë në fushë për të mposhtur Cannavaron

Tre portierë në fushë për të mposhtur Cannavaron

Ndoshta mund të jetë për rekord botëror, por ajo që ka ndodhur në një ndeshje të Kupës së Kinës është me të vërtetë e çuditshme. Një ngjarje që me siguri do të futet në librat e historisë së futbollit, pasi nuk është parë kurrë më parë.

Për sfidën kundër Guangzhou Evergrandes, që drejtohet nga ish-mbrojtësi italian Fabio Cannavaro, trajneri i ekipit rival, Beijing Renhe hodhi në fushë jo një, por 3 portierë: njëri mes katërkëndëshit, ndërsa dy të tjerë në sulm.

Zgjedhja mund të duket vërtet një çmenduri, apo një aventurë donkishoteske, nëse do të merret parasysh rezultati përfundimtar i takimit. Skuadra e teknikut Cannavaro fitoi me goleadë 5-0, duke i dhënë një “shuplakë” të fortë skuadrës dhe trajnerit rival.

Por, çfarë e shtyu atë të ndërmerrte këtë vendim kaq “qesharak”? Beijing Renhe thuhet se sakrifikoi me ndërgjegje të plotë ndeshjen e Kupës së Kinës, për t’u përqëndruar në kampionat, e kësisoj u paraqit në sfidën ndaj ekipit të Cannavaros me vetëm 14 lojtarë.

Rregullorja e futbollit në Kinë detyron çdo skuadër që të hedhë në fushë një numër të caktuar lojtarësh me moshë nën 23 vjeç, ndaj gjatë zëvendësimeve, trajnerit Aleksandar Stanojeviç iu desh të “zgjidhte” ata që e përmbushnin këtë kriter, ose thënë ndryshe dy portierët.

Gjithsesi, golat e Guangzhou Evergrande ishin bërë që të gjithë gjatë kohës që dy portierët, e aktivizuar më pas si sulmues, ishin ende në pankinë.