/Cakaj: Do të ngritët një Taskforcë për kundërpërgjigje ndaj Serbisë

Cakaj: Do të ngritët një Taskforcë për kundërpërgjigje ndaj Serbisë

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj deklaroi se Shqipëria e ka nisur lobimin përpara vendimit të Komisionit Evropian.

“Lobimi ynë nuk është çështje 3 javësh, pasi ne kemi nisur lobimin kohë më parë, duke mos pritur vendimin e Komisionit europian”, – tha Cakaj.

Duke folur për rezultatet në zgjedhjet, Cakaj tha se, “rezultatet e fundit të zgjedhjeve europaine kanë treguar se çështja e zgjerimit, jo domosdoshmërisht ka kushtuar. Në fakt të gjelbrit dhe liberalët, që janë pro zgjerimit kanë shënuar rritje. Gjë që tregon që populizmi nuk mund të jetë zgjidhje”.

Sa i përket rezervave të shteteve anëtare, Cakaj nënvizoi se, “ka dy tipe rezervash nga shtetet. I pari është që BE duhet të konsolidohet nga brenda përpara se të zgjerohet. Ndërsa e dyta ka të bëjë me mënyrën sesi disa prej vendeve anëtare e shohin progresin e vendit”.

Sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, Cakaj tha se, “bashkëpunimi me Kosovën duhet të rritet brenda parametrave të përgjithshëm të bashkëpunimit rajonal që i kërkon edhe Procesi i Berlinit dhe që janë pjesë e pakos së zgjerimit të BE në tërësi”.

Cakaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova do të hapin konsullata të përbashkëta në disa vende ku vetëm njëri nga shtetet ka përfaqësi. Po ashtu, tha Cakaj, shumë shpejt diplomacitë shqiptare dhe kosovare do kenë shkëmbim të stafit dhe përvojave.

Gjithashtu Cakaj përmendi edhe krijimin e një axhende të përbashkët kulturore të ruajtjes së identitetit kombëtar.

“Do të ngremë edhe Këshillin e përbashkët për propozimin e politikave, ku do të kemi një grup të veçantë ekspertësh dhe diplomatëve që do kenë detyrën e propozimit të politikave që do t’u shërbejnë të dy vendeve”, – tha Cakaj.

Cakaj u shpreh se do të ngrihet edhe një taskforcë e veçantë në ministri për kundërpërgjigje ndaj Serbisë për tërheqjet e njohjeve të Kosovës.