BDI: Në mungesë të punës, Taravari ka zgjedhur dezinformatat si mjet për komunikim me opinionin

Në mungesë të rezultateve dhe projekteve konkrete në terren, drejtuesit e Komunës së Gostivarit kanë zgjedhur dezinformatën si armën e tyre të fortë për të kontaktuar dhe manipuluar me opinionin publik, reaguan sot nga BDI – Gostivar. 

Kumtesa integrale:

I tillë ishte edhe informacioni i publikuar nga Sektori për financa dhe buxhet, nga ku u tha që të hyrat e realizuara në buxhetin themelor të komunës së Gostivarit për kuartalin e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shënojnë rritje për 13 për qind.

Rikujtojmë udhëheqjen e Komunës së Gostivarit që realizimi i të hyrave në kuartalin e parë të vitit 2017 nuk ka qenë 60.739.493,00 denarë por 64.394.155,00 denarë. Bëhet fjalë për periudhë parazgjedhore, dhe dihet që në raste të tilla qytetarët janë më të rezervuar në shlyerjen e obligimeve.

Në qoftë se duhet krahasuar periudhat e caktuara ndër vite, rezulton që në vitin 2018 është shënuar një ulje e të hyrave të realizuara në buxhetin themelor të komunës së Gostivarit.

Në kuartalin e parë të vitit 2016 realizimi ka qenë gjithsej 75.973.968,00 denarë, për dallim nga viti 2018 ku realizimi është 68.502.722,00 denarë, pra shihet një ulje e madhe  në realizimin e të hyrave të buxhetit komunal.

Edhe te tatimi në pronë, derisa në kuartalin e parë të  viti 2018 ka realizim prej: 16.719.149,00 denarë në vitin 2016 realizimi ka qenë: 16.991.382,00 denarë. Shihet që edhe tek tatimi në pronë, në vitin 2018 shënohet një ulje e konsiderueshme e të hyrave.

Tek pagesa e taksave komunale (ku bëjnë pjesë edhe lejet e ndërtimit), në kuartalin e parë të vitit 2018 janë realizuar: 15.909.149,00 denarë, kurse në vitin 2016 realizimi ka qenë: 24.368.817,00 denarë, ku vërehet që ka ulje të theksuar të realizimit.

Duke pasur parasysh këto shifra që mund të verifikohen tek shërbimet për financa dhe buxhet dhe te buletini zyrtar i komunës, pyesim publikisht drejtuesit e Sektorit për Financa dhe buxhet dhe të  Komunës së Gostivarit që nga erdhën deri tek konlkuzioni që është shënuar  rritje në realizim dhe në arkëtim të tatimeve dhe taksave për periudhën në të cilën flasin.

Kur flasim për dezinformatat që shfrytëzohen nga drejtuesit e Komunës së Gostivarit si mjet për komunikim me opinionin, flet edhe fakti për borxhin e trashëguar. Derisa Taravari në opinion flet që borxhi është mbi 12 milion euro, tek faqja zyrtare e Komunës së Gostivarit borxhi publik evidentohet të jetë jo më shumë se 1 milion e 800 mijë euro, duke përfshirë edhe periudhën nga tetori – 2017 dhe deri në mars – 2018, periudhë që komuna drejtohet nga udhëheqësia aktuale.

(Link: http://gostivari.gov.mk/wp-content/uploads/2018/05/K2-T12018-Shqip.pdf)

Kujtojmë që në kuartalin e parë të vitit 2017, borxhi publik ishte 57.599.571,00 denarë, kurse tani vlera e borxhit ka arritur në 110.332.519,00 dhe shënohet rritje prej gati 48 %.

Ndryshe, sipas drejtuesve të Komunës, të hyrat e realizuara publike në buxhetin themelor të komunës së Gostivarit për kuartalin e parë të vitit 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shënojnë rritje për 13 për qind.

Nga atje pohuan që në kuartalin e parë të vitit të kaluar janë realizuar 60.739.493 denarë, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti realizimi ka arritur në 68.502.722 denarë.

“Ndikim më të madh në këtë rritje, kanë arkëtimi i tatimit në pronë dhe i taksave komunale, respektivisht pjesa e tatimeve që varet nga angazhimi i administratës komunale dhe rritja e besimit të qytetarëve në institucionin Komunë”, thuhet në njoftim. 

“Te tatimi në pronë kemi rritje madje prej 42 për qind, respektivisht nga 11.770,673 denarë në kuartalin e parë të vitit të kaluar, në 16.719.149 denarë për kuartalin e parë të këtij viti. Rritje të dukshme kemi edhe tek pagesa e taksave komunale, në nivel 12 për qind, respektivisht nga 14.203.738 denarë në kuartalin e parë të viti 2017 në 15.909.149 denarë në kuartalin e parë të vitit 2018. Këto dy pozicione të të ardhurave nga tatimet, janë në fakt ato tek të cilat ka ndikim besimi i qytetarëve tek institucioni Komunë por edhe angazhimi i administratës komunale”, sqaron udhëheqësi i Sektorit për financa dhe buxhet, Sadri Elezi. Gostivari Sot

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.