Komedia “Vorbulla” u pëlqye nga publiku gostivaras

Sonte qyteti dhe qytetarët e Gostivarit ishin nikoqir të aktorëve Senad Abduli, Eli Ameti, Elmir Sejfullai, Sheqerije Iljazi, Andi Aliji dhe Abedin Alimi, me shfaqen e tyre teatrale “Vorbulla”, raporton portali i pavarur informativ “Gostivari Sot”. 

“Vorbulla”, si një komedi e lehtë, në fokus ose në qendër ka njeriun e kohës sonë. Si një njeri që gjallon në një botë plot trivialitet ai priret drejt esenciales duke e parë veten vetëm si një hije ose qenie e përjashtuar nga kjo botë. Atij, njeriut nuk i mbetet tjetër zgjidhje përpos ikjes. Po kjo është një ikje simbolike. Ose më saktë një tentim për të ikur nga kotësia.

Në luftën e ikjes nga gjithçka për të arritur në diçka të re, njeriu në jetë dhe aktorët në komedinë “Vorbulla” do të sjellin dy botë të ndara, ku njëra është dramatike e tjetra komike.

Autor i komedisë “Vorbulla”, është Salajdin Salihu, regjia është bërë nga Senad Abduli, asistent regjisor është Eli Ameti, skenografia është e Ridvan Alitit, muzika Laurije Ibrahimi, sound design Blerim Qamili, si dhe kostumet Sherife Abduli.

Kujtojm që dje në mbrëmje komedia “Vorbulla” u shfaq para publikut tetovar. Gostivari Sot 

Loading…